Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar se janë mbledhur në Graçanicë për të treguar forcën dhe qëndrueshmërinë e tyre dhe se shteti i Serbisë gjithnjë do të jetë me serbët e Kosovës.
Ai tha se po japin një porosi se ajo që i është bërë Jabllanoviqit nuk mund t’i bëhet asnjë serbi në Kosovë. Gjuriq ka shtuar se nga ajo se si do të vendoset në këtë takim të parë punues të komunave do të varet se si do të sillet Beogradi.
“Sot jemi mbledhur në Graçanicë për të treguar forcën tonë dhe qëndrueshmërinë tonë. Ai bashkimi që kemi pasur me vite do të jetë lidhja jonë me Kosovën edhe më tutje. Kam ardhur për t’iu treguar që ju duhet të bashkoheni duhet të definoni prioritetet kyçe të politikës suaj. Qeveria e Serbisë asnjëherë përgjegjësinë e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do ta lëshojë mbi serbët e Kosovës. Jemi mbledhur këtu për të dhënë një porosi të fortë se ajo çfarë i është bërë Jabllanoviqit, të cilin ne e kemi zgjedhur me votat tona, nuk mund t’i bëhet asnjë serbi në Kosovë. Për aq kohë sa përfaqësuesit serbë nuk janë së paku dhjetë për qind nëpër institucione është e papranueshme për neve”, ka thënë ai’’ transmeton Kosovapress.
Ai shtoi se Serbia do të vazhdojë ta ndihmojë komunitetin serb në Kosovë, politikisht, ekonomikisht dhe në mënyra tjera.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtarë që të punoj për të drejta të barabarta në Kosovë. Mariq tha se kjo ditë është një fillim i ri ku duhet të tregojnë se kanë kapacitet dhe dije të bashkëjetojnë me gjithë ata që e duan këtë.
“Ne nuk duam të ndikojmë në jetën e të tjerëve por me të drejtë duam të ndikojmë për të ardhmen tonë. Nuk duam të presim që të na ndihmojnë të tjerët por duam të jemi aq të fortë sa që të ndihmojmë të tjerët. Neve na duhet mbështetje dhe vetëm pak kohë për ta treguar forcën tonë. Një thirrje të veçantë ua bëjë faktorit ndërkombëtarë që të punoj për të drejta të barabarta”, ka thënë ai.
Kurse, kryetari i Graqanicës, Branimir Stojanoviq tha se dje kanë përkujtuar ndodhinë e 17-18 marsit 2004. “Tash njëmbëdhjetë vite po i përjetojmë problemet e njëjta. Urrejtja dhe ndarja etnike duhet të ndërpritet prej atyre që e kanë krijuar. Nuk e pranojmë faktin që liria dhe e drejta të na jepen përkohësisht. Ne duhet të kërkojmë të drejtat për shkollim, të drejtat për mjekim, për lëvizje të lirë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë të na cenohen ato”, ka thënë ai.















