Nga ana tjetër, përfaqësues të partive në pushtet konsiderojnë se opozita nuk duhet të vërë fare kushte para takimit. Por, gjersa deputetë nga PDK-ja thonë se kryeministri tanimë ia ka bërë ftesën opozitës, deputetë të LDK-së vlerësojnë se më e rrugës do të ishte të bëhej një ftesë direkte, në të cilën do të ofroheshin më shumë hollësi.
Kurse, njohësit e rrethanave politike në Kosovë mendojnë që ky takim nuk ka përse të thirret nëse qëllimi i tij është të mbetet sërish versioni i njëjtë i Marrëveshjes së Demarkacionit. Në të kundërtën, sipas tyre, një dialog i tillë do të ishte më se i pritur. Megjithëkëtë, ata janë shprehur skeptikë nëse diskutimi do të sjellë rezultate konkrete.























