Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe homologu i tij serb Aleksander Vuçic do të takohen në Bruksel më nëntë shkurt, citon e përditshmja e Beogradit, “Danas”, burime nga kabineti qeveritar i Serbisë. Në takim do të jenë pjesëmarrës edhe ministrat e jashtëm Hashim Thaçi i Kosovës dhe Ivica Daçic i Serbisë.
Takimi zhvillohet në kuadër të vazhdimit të procesit të Brukselit, i thirrur nga shefja e re e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini
Ky është takimi i parë midis kryeministrit të sapozgjedhur të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij serb, Ivica Daçic, dhe po ashtu i pari i ftuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme e Sigurise, Federica Mogherini.
Sipas shkrimit në këtë gazetë të Beogradit, dy nga temat do të jenë integrimi i gjyqësorit në veri në atë të Kosovës dhe formimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, që janë parakushte që BE të hapë kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë.
Analisti Dushan Janjic rikujton se Serbia ende nuk e ka zgjidhur problemin e gjykatave në veri të Kosovës, nuk e ka zgjidhur problemin e veprimit të MUP-it në këtë territor, nuk është zgjidhur problemi i qarkullimit të lirë të mallrave… “Nga Serbia kërkohet të nisë kontrollin e mallrave në kufirin me Kosovën”, ka thënë ai.















