Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, në një intervistë për RTK, i ka bërë me dije Brukselit zyrtar, se nëse ata nuk e largojnë barrierën e re nga ura e Ibrit, atëherë këtë gjë do ta bëjë Qeveria e Kosovës.
“BE duhet të rrisë angazhimet. Ia kemi bërë të qartë Brukselit se presim që për një kohë të shkurtër të hiqen (barrierat) nga ura dhe ura të funksionalizohet për lëvizjen e lirë. Nëse nuk ka lëvizje nga Brukseli, ne si Qeveri do të marrim masa për këtë”, tha ajo.
Tahiri tha se “ne si Qeveri, kemi qenë në kontakt dhe jemi ende në kontakt me ndërkombëtarët dhe veprimet tona do të jenë të koordinuara”.
Tahiri më tej publikoi vendimin e Qeverisë së Kosovës se Zyrtari i Lartë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, më nuk do të mund të futet në territorin e Kosovës.















