Jens Stoltenberg, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, , ka deklaruar se “fluksi ditor i refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme drejt Europës ka rënë ndjeshëm”.
Stoltenberg në një vizitë në Ankara, tha se numri i refugjatëve që kalojnë detin Egje nga Turqia në Europë ka rënë në mënyrë të konsiderueshme.
“Ne kemi parë reduktim të ndjeshëm në shifrat e refugjatëve. Por, unë mendoj se rëndësi ka që mos t’i japim fund patrullimeve detare, pasi është shumë herët. Sepse ne akoma shohim që ka kontrabandistë që përpiqen të kalojnë në Detin Egje. Nëse ne ndalojmë këtu kontrollet, më shumë gjasë do të shohim kthimin e një numri të lartë refugjatësh”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Nga të dhënat e OKB-së rezulton se 18 mijë vetë janë përpjekur të kalojnë këtë vit në Europë përmes detit.
Gjithashtu, OKB-ja deklaron se rreth 800 prej këtyre personave, kjo tentativë u ka kushtuar jetën. Rikthimi i itinerarit të rrezikshëm të Mesdheut u paralajmërua shumë shpejt, pas mbylljes së rrugës ballkanike dhe nënshkrimit të marrëveshjes BE-Turqi.















