U çel dje në Muzeun Historik Kombëtar ekspozita e bienales ndërkombëtare të veprave të artit mbi letër. Pesëdhjetë artistë nga e gjithë bota sollën rreth 100 punime të teknikave të ndryshme ku filli lidhës ishte letra.
Shqipëria ishte edhe vendi mysafir i edicionit VI të Bienales së Torinos, ku 18 artistë shqiptarë morën pjesë me punimet e tyre. Në këtë kuadër u realizua edhe ky bashkëpunim mes dy vendeve, ku kryeqyteti shqiptar u bë stacioni i dytë i kësaj ekspozite me karakter shëtitës.
Substancat e ngurta që shkrihen, bojërat treten, ngjyrat trazohen dhe lënë gjurmë mbi letër. Aleati dhe elementi protagonist që i bën bashkë të 50 artistët dhe 100 punimet është letra, e cila nuk duket më aq e brishtë dhe e dobët në përballjen me kalimin e kohës… Ishte kjo filozofia mbi të cilën u ngrit edicioni i gjashtë i Bienales së Torinos “Stemperando”, e cila pas ekspozitës në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Torinos, udhëtoi dje drejt Tiranës dhe do të qëndrojë e hapur për publikun në mjediset e Muzeut Kombëtar deri më 10 maj.
Shqipëria ishte edhe vendi mysafir i kësaj Bienaleje, ku 18 artistë shqiptarë morën pjesë me punimet e tyre. Në këtë kuadër u realizua edhe ky bashkëpunim mes dy vendeve, ku kryeqyteti shqiptar u bë stacioni i dytë i kësaj ekspozite me karakter shëtitës.
Pas Tiranës, 100 punimet e artistëve ndërkombëtarë do të stacionohen në Romë.
Sipas drejtorit të Institutit Kombëtar të Artit Bashkëkohor Italian, njëherazi edhe kurator i ekspozitës, Anselmo Villata, ky edicion është menduar si një rrugëtim me shumë të tillë brenda. “Ky nuk ka qenë gabim, por një qëllim i mirëfilltë”, thotë ai.
Udhëtimi në art është edhe udhëtim në kontinente, ku vëmendje të veçantë ka marrë edhe vendi ynë. Shqipëria përfaqësohet me pjesëmarrjen e 18 artistëve që kanë bërë emër jashtë Shqipërisë dhe brenda saj.
“E veçanta e kësaj ekspozite është multikultura dhe shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet artistëve dhe kulturave të ndryshme. E veçanta e këtij eventi është se të gjitha veprat e artit janë të realizuara në letër dhe në njëfarë mënyre ky ishte i vetmi detyrim që iu imponua artistëve. Kjo sepse ky event do të jetë një foto çasti e këtij momenti bashkëkohor. Po të kishim imponuar një temë për të gjithë artistët, do e kishim kufizuar artin e tyre. Duke bërë shaka, them gjithmonë që ky është një gjest përulësie para artit si nga ana ime, si nga ajo e kuratorëve. Gjithë kjo për t’i dhënë mundësinë shprehjes artistikë që të jetë sa më e lirshme dhe që artistët të jenë protagonistët e këtij eventi.
Ajo që vihet re në këtë ekspozitë është dalja në pah e individualitetit dhe lirisë konceptuale
Ashtu siç vë në dukje edhe kuratori shqiptar, artisti Alfred Milot Marashi, artistët shqiptarë pjesëmarrës në këtë bienale janë unikë në punët e tyre. “Në punët e artistëve që marrin pjesë në këtë bienale është e qartë dëshira për të qenë individualë artistikisht unikë në krijueshmërinë dhe gjuhën shprehëse dhe kjo mund të konsiderohet një gjë e madhe, një arritje e vërtetë”, – është shprehur ai.
Filli i përbashkët i ekspozitës është letra, ndërsa teknikat mbi të janë nga më të larmishmet, duke nisur nga piktura, fotografia, dizajni e grafika, duke shkuar nga rryma klasike tek ajo më moderne. Për drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, është një pasuri kulturore.
“Është padyshim një ekspozitë me prurje muzeale, që çdokush do të dojë të vizitojë për pasurimin e vet kulturor dhe bregëzimi i tij në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë përkon me ndalesën e dytë të udhëtimit, që zë fill në Torino në Bibliotekën Universitare e vazhdon në Romë në Muzeun e Villa Pamhili. “Stemperando” është një eveniment me rëndësi të madhe, i pritur nga publiku dhe mediat.
Albumi i saj e ka bërë traditë që të propozojë artistët krijues aktualë të moshave të ndryshme dhe me shtrirje të ndryshme gjeografike e kulturore nëpërmjet përdorimit të njërës prej materialeve më të rafinuara të artit, përkatësisht letër. Përveç kësaj, ky botim është pasuruar nga një seksion historik, ku janë dhe veprat e mjeshtrave të mëdhenj të shekullit XX. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila e vlerësoi këtë ekspozitë si një komunikim me gjuhën e artistit.
“Ministria e Kulturës ka vetëm një detyrë, të mbështesë dhe të krijojë terren që fryma e artit të mos ndalet. E tillë ishte dhe kjo ekspozitë. Unë jam shumë e lumtur që nga Torinoja, ekspozita transferohet në Tiranë dhe nuk është një ekspozitë e thjeshtë; janë 18 artistë shqiptarë të cilët dialogojnë, komunikojnë përmes gjuhës së artit në të gjitha format, aq më tepër në një lloj të veçantë që e kujtonim të harruar siç është letra, karta që për mua si një njeri që vij nga libri, kam një dashuri të pavdekshme në të gjitha format e veta. Është gjë e bukur dhe e jashtëzakonshme që arti ka hapësira të pafundme”, – u shpreh ministrja Kumbaro.
Në një kënd të hollit të Muzeut ishte e vendosur edhe pema gjenealogjike e Familjes Durazzi, me akuarel mbi letër, siç ishte edhe tema e ekspozitës për të treguar origjinën e familjes fisnike me rrënjë nga Shqipëria.
Stemperando është një ekspozitë që ka lindur në vitin 2003. E që prej asaj kohe është zhvilluar gjithmonë e më shumë derisa kemi arritur në këtë momentin e sotëm ku bëhet fjalë për tri seksione. Një seksion ndërkombëtar, një seksion historik dhe një seksion i cili zhvillohet në nder të një prej vendeve pjesëmarrëse, që këtë vit është Shqipëria.
Kjo ekspozitë ruan karakterin shëtitës në tri vende prestigjioze, nga ku dy kryeqytete dhe në një kryeqytet të kulturës.
Artistët ndërkombëtarë
Alberto Biasi, Alberto Brusa,Gao Yang, Paolo Conti, Graham Guerra, Kivanc Gulhan, Ali Herischi, Jiang Shanqing, Susan Leyland, Paul Marazzi, Carlo Mazetti, Xavier Medina Campeny, Sofia Michaeledes, Azad Nanakeli, Qiu Yi, Xue Ran Mei, Claudio Saçhi, Michael Stanzione, Martin Streitenberger, Andreas Tomblin, Jorrit Tornquist, Lucio Trizzino; për seksionin historik: Georges Braque, Francesco Casorati, Enrico Colombotto Red, Samo Koler, Riçardo Licata, Umberto Mastroianni, Franc Oldering, Mario Schifano, James Soffiantino, Alberto Sauces.
Artistët pjesëmarrës nga Shqipëria
Albien Alushaj, Helidon Haliti, Ardian Isufi, Pjeter Koleci, Beskida Kraja, Gjon Jon Kraja, Vladimir Llakaj, Fatos Lubonja, Ormira Lulani, Alban Met-hasani, Alkan Nallbani, Andi Nallbani, Admir Pervathi, Parlind Prelashi, Agron Rushiti, Alberto Saka, Helidon Xhixha, Armand Xhomo, Agron Rushiti.



















