Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve, ka reaguar në lidhje me skandalin e kreut të shoqatës “Jetimët në Fokus”, Maksim Liço, i kërkoi favore seksuale një të mituri për t’i dhënë statusin e jetimit. Ministri Veliaj theksoi se statusin e jetimit në Shqipëri e jep vetëm Shërbimi Social Shtetëror, duke paralajmëruar të gjitha shoqatat që shkelin ligjin se do të përballen me pasojat.
“Më lejoni tani të ndalem në një fenomen të rëndë për të cilin kemi qenë dëshmitarë ditët e fundit, atë të shfrytëzimit të fëmijëve jetim nga persona të përfaqësuar ne emra organizatash fantazmë. Statusin e jetimit, të të verbërit, te personit me aftësi të kufizuar, e jep vetëm ligji dhe një fakt i tillë vërtetohet vetëm nga një akt shkresor i lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror. Çdo shoqatë që vazhdon të lëshojë vërtetime me efekt përfitimin e shërbimeve falas është duke shkelur ligjin dhe do të përballet me pasojat e kësaj vepre”, u shpreh ministri Veliaj.
Duke iu referuar arrestimit të kreut të shoqatës “Jetimët në Fokus”, Maksim Liço, ministri Veliaj tha se do të vihen përpara drejtësisë personat që kanë abuzuar me detyrën, ndërsa strukturat e Shërbimit shtetëror do të punojnë për “statusin” e jetimit në Shqipëri. “Ndërsa strukturat shtetërore kanë vënë dhe do të venë përpara përgjegjësisë penale të gjithë këta persona për krimin e kryer, strukturat e Shërbimit Social Shtetëror, janë duke punuar për të siguruar respektimin në praktikë të asaj që tashmë është normë e shkruar”, Ka thënë Veliaj.














