Kryeministri reagoi pas akuzave të opozitës për heshtjen ndaj skandalit seksual të sekretarit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima
Kryeministri Edi Rama reagoi sot për skandalin seksual të zyrtarit të partisë së tij, në Sarandë. Ai e cilësoi të papranueshëm aktin e sekretarit të deputetit socialist Koço Kokëdhima, duke theksuar se PS e policia reaguan brenda ditës. Rama shprehet përmes një mesazhi në facebook se persona të tillë si Agron Cane nuk kanë vënd në PS. “Policia e arreston. Zyra e deputetit distancohet prerazi,PS e perjashton.E gjitha brenda dites! Per ne e keqja ska parti dhe ska vend mes nesh”, shkruan Edi Rama.
Kryeministri reagoi për ngjarjen, pas akuzave të opozitës për heshtjen e tij rreth skandalit në fjalë. Kryetari i PD-së Lulzim Basha e cilësoi si një medalje turpi e kryeministrit Rama ngjarjen me skandalin e zyrtarit socialist në Sarandë, i cili kërkoi marrëdhënie seksuale me të mitur në këmbim të një vendi pune për të ëmen.
Rama e komentoi kështu qëndrimin e PD për ngjarjen dhe mungesëne reagimit të tij ndaj saj: “Kurse PD e shijon duke e ripertypur ne mensen e SHQUPit, ku gatuhet perdite gjella e felliqur e nje politike te vjeter e te ulet”, shkruan rama në facebook.














