“SPERTK nuk e kupton mosreagimin e Kuvendit dhe Qeverisë, mbas situatës së mbrëmshme apo institucionet tona janë mësuar të reagojnë vetëm atëherë kur ka katastrofa. SPERTK u bën thirrje po ashtu edhe Komunës së Prishtinës dhe menaxhmentit të RTK-së që të ndërhyjnë sa me parë në rregullimin e përkohshëm të kësaj rruge derisa mediumi i vetëm publik të kalojë në objektin e ri”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë i SPERTK:
Kryesia e SPERTK-së
REAGIM
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së është e shqetësuar me kushtet në të cilat punojnë kolegët tanë në RTK, ku pas një shiu të dendur, në mungesë infrastrukture, kanali RTK-2 dhe RTK-3, pasi janë vërshuar nga uji, janë detyruar ta ndërpresin programin, sepse u është rrezikuar jeta e kolegëve tanë.
SPERTK u bën thirrje përsëri Institucioneve vendimmarrëse të Kosovës, Kuvendit si themelues në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, që ta zgjidhin çështjen e pronës dhe mos ta vërë në rrezik jetën dhe punën e kolegëve tanë, të cilët punojnë në këto objekte garazhe, që tani janë shndërruar në studio dhe shumica prej tyre nuk kanë as dritare.
SPERTK zvarritjen e zgjidhjes së çështjes se pronës dhe mënyrën e financimit të pavarur për RTK-në e quan të turpshme dhe të papranueshme. SPERTK nuk e kupton mosreagimin e Kuvendit dhe Qeverisë, mbas situatës së mbrëmshme apo institucionet tona janë mësuar të reagojnë vetëm atëherë kur ka katastrofa. SPERTK u bën thirrje po ashtu edhe Komunës së Prishtinës dhe menaxhmentit të RTK-së që të ndërhyjnë sa me parë në rregullimin e përkohshëm të kësaj rruge derisa mediumi i vetëm publik të kalojë në objektin e ri.
Mosndërhyrja e Kuvendit të Kosovës, në zgjidhjen e financimit të pavarur për RTK-në, digjitalizimin e RTK-së, miratimin e ligjit për RTK-në, prej tani e tutje na lënë të kuptojmë se vetë themeluesi i RTK-së – Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës – janë të interesuara për shkatërrimin e RTK-së.
Sinqerisht,
Gëzim Bimbashi
Kryetar i SPERTK-së
Prishtinë, 26.07.2016