Në pritje që Gjykata e Krimeve të Rënda të caktojë “masën e sigurisë” për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjeruar rrethin e hetimeve edhe për persona të tjerë.
Krahas kërcënimit për gjobëvënie ndaj biznesmenëve, grupi hetimor, i cili drejtohet nga kreu i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmata kanë nisur të verifikojnë aftësinë paguese edhe të dy bashkëpronarëve të tjerë të ish-hotel Vollgës me mbiemër Kodra, të cilat kanë dhënë një shume prej 670 mijë euro për të blerë një pjesë ish-hotelit. Ora News siguron ekskluzivisht kontratën e shitjes.
Prokuroria ka dyshime se këta individë nuk kanë patur të ardhura të mjaftueshme për të bërë këtë blerje, ndaj ka nisur verifikimi për burimin e këtyre të ardhurave.
Gjithashtu, po kryen verifikime dhe për shtetasin arab, i cili i ka dhuruar pjesën e tij të pasurisë Shullazit.
Emri i Emiliano Shullazit rezulton në dokumentet e pronarëve të ish-hotel Vollgës në Durrës ku në rrethana ende të paqarta, ish-pronari i kësaj godine ia ka dhuruar pjesën e tij Emiliano Shullazit.
Ndërkohë, në lidhje me akuzën e kërcënimit krahas Mynyr Konit gjatë ditës së djeshme prokuroria ka marrë në pyetje edhe rektorin Dhori Kule, i cili ka qenë i pranishëm kur është kërcënuar kandidati për rektor Koni.
Me provat e mbledhura deri tani mes të cilave edhe përgjimet që janë bërë muajt e fundit me vendim gjykate, prokuroria do të kërkojë në gjykatë masën “arrest me burg” për tre të pandehurit. Pas arrestimit të Emiliano Shullazit bëhet me dije se Prokuroria është duke hetuar të paktën dy raste, ku Shullazi ka përfituar apo ka kërcënuar për përfitim të një pasurie të paluajtshme.
###
“Dëshmi, fakte dhe prova konfirmojnë se si, Emiliano Shullazi ngriti në këto tre vite një perandori të krimit, me gjoba ndaj biznesit, me rrëmbime pronash, me trafik dhe droge.
Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë pasur dijeni për të gjithë këtë aktivitet kriminal”. E nis kështu Partia Demokratike, denoncimin e radhës për lidhje të kryeministrit dhe ministrit të brendshëm me Emiljano Shullazin. Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, thotë se “nga provat dhe faktet e bëra publike, duket se Edi Rama dhe Saimir Tahiri e kanë ditur, e kanë lejuar, madje e kanë ndihmuar Emiliano Shullazin në grabitjen e Vollgës në Durrës, në marrjen me dhunë, përmes kërcënimesh, me armë e me eksploziv, të qindra mijëra eurove nga biznesmenët”.
Denoncimi i PD shkon më tej. Sipas saj, “Shullazi jo vetëm kishte çdo zyrë të shtetit të Edi Ramës në dispozicion, por mbështetja ndaj tij shkonte deri atje, sa efektivë të forcave speciale shërbenin për sigurinë e tij”.
Ristani përmendi faktin se PD e kishte denoncuar favorizimin e Shullazit nga shteti edhe në dogana.
“Makinat e tij nuk ndaleshin asnjëherë dhe nuk kontrolloheshin në dogana, siç ishte rasti i denoncuar nga ne, i futjes së makinës së blinduar pa asnjë verifikim nga Porti i Durrësit”, tha ai.
PD bëri publik edhe një tjetër fakt. Sipas saj, “përfaqësues të rëndësishëm të biznesit në vend janë ankuar tek Edi Rama për gjobat që u ka vënë Shullazi, por kanë gjetur shpërfilljen, madje edhe justifikimin e tij për Shullazin. Tek Rama, biznesi nuk ka gjetur garantin e rendit dhe sigurisë, por ortakun e Shullazit”.
PD thotë se “dinamika e rastit Shullazi flet qartë: Vështirësia më e madhe e Prokurorisë në hetimin e Shullazit ka qenë dhe është edhe sot qeveria, Edi Rama e Saimir Tahiri.
Ata i kishin dhënë Shullazit statusin e të paprekshmit. Megjithë denoncimet e qytetarëve, megjithë denoncimet e Partisë Demokratike, madje edhe të partnerit tonë strategjik, Shullazi vazhdonte të kishte mbështetjen pa rezerva të qeverisë”.
Pas ndalimit të Shullazit për gjobvënie, PD shpreht se ai, si “një prej personave më të rrezikshëm në vend, ishte mik, ortak e partner me Edi Ramën e Saimir Tahirin, dhe vazhdon të jetë, sepse as dje, as sot, ata nuk guxojnë t’i përmendin as emrin”.
Partia Demokratike bën një tjetër denoncim në deklaratën e saj, teksa i kërkon prokurorisë të hetojë aktivitetin e plotë të Shullazit, pa u ndikuar “nga presionet e Edi Ramës e Saimir Tahirit” për të nxjerrë në dritë “se nga i vinte pushteti një krimineli që vinte gjoba e grabiste prona”.
Partia Demokratike u kërkon partnerëve ndërkombëtarë e në veçanti Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ta monitorojnë këtë proces, të japin kontributin e tyre për të ndalur ndërhyrjet e qeverisë e për të siguruar drejtës dhe nxit qytetarët e biznesmenët që janë kërcënuar, rrëmbyer e gjobitur, të denoncojnë.
oranews/lapsi.al















