Ambasadori i parë shqiptar në Gjermani, me një libër për “shansin e humbur gjerman”. UET- Press sjell librin e ambasadorit Shpëtim Çaushi, “Edhe një herë për shansin gjerman” (Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë 1944-1987. Reparacionet e Luftës së Dytë Botërore), i cili promovohet sot në UET
Për shqiptarët, një popull i vuajtur nën një regjim të egër komunist për afër gjysmë shekulli, do të mbetet gjithmonë një brengë momenti në mesvitet ’80, kur Gjermania u ofrua me një ndihmë financiare të madhe, por regjimi i kohës nuk e pranoi. Çfarë ndodhi në ato negociata, a kishte pasur më parë tentativa për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë dhe si u arrit vetëm dy vjet para rënies së Murit të Berlinit, që ne të dërgonim më në fund një përfaqësues diplomatik në Bon? Për të gjitha këto pyetje, përgjigjet i jep një diplomat karriere, i cili do të ishte në fakt dhe ambasadori i parë shqiptar në Gjermani në vitin 1987, Dr. Shpëtim Çaushi. UET-Press ka botuar së fundmi librin e tij “Edhe një herë për shansin gjerman” (Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë 1944-1987. Reparacionet e Luftës së Dytë Botërore), i cili promovohet sot në Universitetin Europian të Tiranës. Z. Çaushi e quan këtë shans të humbur jo vetëm nga ana financiare, por dhe si një mundësi e artë dhe e hershme për t’u hapur më në fund me botën. Ndërkohë, ai i konsideron një shans të dytë për Shqipërinë marrëdhëniet e tanishme me Gjermaninë pas vizitës së kancelares Merkel. Një shans, që sipas Çaushit, duhet shfrytëzuar nga vendi ynë për të thithur investimet gjermane.
Zoti Çaushi, pse ky libër dhe pse tani?
Kam kohë që punoj me këtë temë për të nxjerrë në dritë botimin e këtij libri. Kjo, nisur edhe nga fakti se me çështjen gjermane jam marrë në vite. Edhe një fakt tjetër i rëndësishëm – pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në tetor të 1987-s, unë u emërova ambasador i Shqipërisë në RFGJ, në atë kohë me kryeqytet Bonin. Zhvillimet e kësaj periudhe ishin mbresëlënëse dhe shumëdimensionale. Vetëm në më pak se tri vite ndodhi megandryshimi gjeopolitik, ra muri i Berlinit. E kam përjetuar atje edhe rënien e tij, por edhe bashkimin e Gjermanisë. Ishin procese që kishin “fjetur” për gjysmë shekulli,dhe, pothuaj, në pak ditë, u rrokullisën si një ortek që shkatërroi tërë karkasën e kalbur të një sistemi të tërë të Evropës Lindore. Me të u shemb edhe ideologjia që kishte mbytur lirinë e mendimit dhe kishte mbajtur të gjallë frymën dhe politikat e Luftës së Ftohtë në kontinentin plak, por edhe më gjerë.
Këtë periudhë të qëndrimit në Bon, e konsideroj si një nga detyrat më të rëndësishme të jetës sime diplomatike pothuaj 40-vjecare. Ishte emërimi im i tretë – shkoja pas detyrës së ambasadorit në Hungari dhe në Suedi. Eksperienca këto të vyera. Hungaria, në një tjetër përballje me Moskën, kishte filluar të aplikonte pothuaj hapur një“tango” politike – “dy hapa drejt Perëndimit, një hap drejt Lindjes”. Suedia dhe vendet e tjera nordike, ku isha gjithashtu i akredituar, më dhanë mundësinë të njihem me qytetërimin nordik, i cili po dhunohej pothuaj haptazi nga provokacionet e nëndetëseve atomike sovjetike, duke prishur ekuilibrat shekullorë të neutralitetit tradicional të kësaj zone.
Në Gjermani gjeta “një makineri të rëndë e të fuqishme” të mendimit progresist dhe të zhvillimit të pandalshëm ekonomik dhe social. Gjermania ishte mjaft tërheqëse dhe kishte zhvillime, të cilat çuan më vonë edhe në bashkimin e shpejtë të saj.
Përse tani? Është e natyrshme që distanca në kohë të jep mundësi të reflektosh më qartë për ngjarjet e përjetuara, të jep avantazhin e analizës së “ftohtë”, të arrish të largohesh nga subjektivizmi dhe të krijon mundësinë e verifikimit të vetes. Ndërkohë, mund t’ju them se me temën gjermane jam marrë në vite. Libri i ri përbën një “fusion” midis shkrimeve të bëra më parë me përmbajtjen e temës së doktoraturës, përgatitur posaçërisht për 25-vjetorin e Ribashkimit të Gjermanisë, ngjarje e shënuar për popullin gjerman, për tërë Evropën, edhe për Shqipërinë, që pothuaj në të njëjtën kohë rrëzoi “murin e saj të Berlinit”, duke vendosur përfundimisht rendin e demokracisë.
A ishte kjo eksperienca juaj si ambasador atje, që ju nxiti që pas kaq vitesh, saktësisht 25 vitesh, të bëni një libër për marrëdhëniet shqiptaro-gjermane?
Sigurisht. Në Bon kam mbajtur shënime gjatë gjithë kohës, më vonë kam punuar në arkivat tanë. Kjo periudhë më ka intriguar për t’iu rikthyer edhe njëherë harkut kohor të pafund të tejzgjatjes së bisedimeve me RFGJ, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend dhe, sidomos çështja e reparacioneve, që ishte temë madhore për shtetin shqiptar. Bëhej fjalë për dëmet e Luftës së Dytë Botërore. Më riktheheshin sërish pyetjet: përse kaq vonë vendosja e këtyre marrëdhënieve; përse nuk u normalizuan ato në shtator 1973, kur të dyja shtetet gjermane u pranuan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sikundër vepruan edhe vendet e tjera të Evropës Lindore? Përse ne përjashtonim mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën Federale të Gjermanisë? A nuk ishte kjo një humbje kohe?
Në fakt, nuk pati as tentativë nga qeveria shqiptare, sepse ende ekzistonte mendësia që RFGJ-ja ishte shtet që po militarizohej në qendër të Evropës, revanshist e militar, që mund të provokonte sërish shtetet e tjera evropiane. Kjo ka shumë rëndësi për t’u kuptuar gjykimi i ngushtë dhe sektar ideologjik, që çonte në mungesën e vullnetit politik për lidhje marrëdhëniesh me Bonin.
Jam përpjekur të thellohem në analizën e mendimit politik shqiptar të asaj periudhe historike: cilat ishin ato kritere, principe, cilat ishin ato qëndrime politike e taktika diplomatike që shteti shqiptar aplikoi me RFGJ-në? Një kapitull të tërë ua kam kushtuar pikërisht këtyre pozicioneve të periudhës së Enver Hoxhës dhe shtetit shqiptar të kohës, ndaj çështjes gjermane në tërësi. Cila ishte pozita filozofike dhe politike e Tiranës zyrtare ndaj këtij problemi eminent?
Në analizën që përshkruan libri, mendoj se dalin qartë konsideratat dhe paragjykimet ideologjike të qëndrimeve zyrtare të kohës. Shqipëria mund të kishte bërë përpjekje që pikërisht në atë kohë të vendoste marrëdhënie diplomatike. Por shpërdorimi i kohës,nuk vinte thjesht nga “padia” e udhëheqësve të kohës, por nga politikat ekstreme izoluese që diktonte doktrina e “sovranitetit absolut” dhe fryma antiperëndimore e udhëheqjes së asaj kohe.
Në libër kam shprehur idenë se një “shans tjetër i humbur” ishte “moskonceptimi” dhe analiza e gabuar që udhëheqja shqiptare i bëri Ostpolitikës, duke e cilësuar atë si një tradhti që i bëhej çështjes gjermane në tërësi, në favor të Bashkimit Sovjetik. Kjo e largonte më tej çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Bonin. Përsëri humbje kohe…
Ju mendoni se ne e humbëm njërin shans për të lidhur marrëdhënie më Gjermaninë në vitet ’70, po më vonë, pas vdekjes së Hoxhës, në bisedimet e viteve ’80, kur Alia konsiderohej më i hapur ndaj bashkëpunimeve, pse u refuzua ndihma gjermane?
Në bisedimet e viteve ’85-’87, pala shqiptare insistonte të merrte reparacionet e Luftës së Dytë Botërore, që ishin mbi 2 miliardë dollarë, pa përfshirë këtu edhe interesat përkatëse. Nga pala shqiptare u parashtrua varianti që këto reparacione të mos cilësoheshin si kredi, për shkak se ajo ishte e ndaluar me Kushtetutë, por insistoi në variantin që gjermanët u kishin dhënë Jugosllavisë dhe Polonisë, pra të ashtuquajturën “Formulë të Brionit”, që nga ana shqiptare mendohej se ishte tepër favorizuese për këto dy vende. Përfaqësuesit gjermanë shpjeguan se Jugosllavisë dhe Polonisë nuk u kishin dhënë reparacione, por thjeshtë kredi. Pas insistimit pa takt të shefit të delegacionit shqiptar, kryenegociatori gjerman iu përgjigj hapur se po të kërkonim të njëjtën formulë si për Jugosllavinë dhe Poloninë, atëherë përse nuk vepruam si ato, duke i vendosur 15 vite më parë marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë? Sigurisht, kjo përgjigje gjermane përbën në fakt edhe një element tjetër të shansit historik që humbëm…
Periudha e Alisë dha përshtypjen e një hapjeje të politikës së jashtme të vendit tonë, por mendoj, dhe këtë e argumentoj edhe në libër, që ajo ishte thjesht një hap fiktiv, përpjekje për të fituar kohë për mbijetesën e sistemit të kalbur, që po përfundonte pa kthim ekzistencën e tij gjysmëshekullore.
Cilat ishin disa nga divergjencat mes nesh dhe palës gjermane, për shkak të së cilave marrëveshja nuk u arrit të lidhej dot?
Në radhë të parë është perceptimi botëkuptimor totalisht i ndryshëm. Kjo shtron me të drejtë pyetjen: si vepruan shtetet e tjera të ashtuquajtura socialiste, të cilat jo vetëm vendosën marrëdhëniet diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë, por arritën të sensibilizojnë edhe kapitalin gjerman për investimet në vendet e tyre? Këto shtete iu përqasën Ostpolitikës, e cila ishte një ofertë gjermano-perëndimore për bashkëpunim.
Ne ishim pjesa më e izoluar e bllokut socialist, pasi ideologjikisht, në mënyrë permanente, kishim akuzuar tërë “kampin socialist” për tradhti që “bëhej në kurriz të Gjermanisë Lindore”. Madje në vitet 1980 u izoluam akoma edhe me tepër, kaluam në një politikë të “ndërgjegjshme” vetizoluese. Ky izolim kishte krijuar një botëkuptim dhe një psikologji, e cila ndikoi edhe në bisedimet që u zhvilluan për rreth 15 vite. Gjermanët u treguan shumë të duruar me ne. Në asnjë rast nuk thanë që do bënin mrekullinë. Në asnjë rast nuk thanë që do jepnin reparacionet, sepse parametrat legalë ndërkombëtarë nuk e lejonin në atë kohë Gjermaninë që të bënte një përjashtim të veçantë për Shqipërinë. Pala jonë mbajti qëndrime vibrive, shumë kontradiktore, mohuese lidhur me çështjen e Berlinit Perëndimor, që për palën gjermane ishte një çështje shumë sensitive. Në ofertat politike të Bonit për të vendosur marrëdhënie me Uashingtonin, Londrën e vende të tjera perëndimore, Tirana zyrtare demonstroi qëndrime ngurruese, obskurantiste në pikëpamje ideologjike, vazhdohej përsëri me idenë e luftës kundër dy superfuqive – hezitime këto që u manifestuan dukshëm në bisedime, si edhe në pranimin e hyrjes së kapitalit gjerman për investime të mundshme. Kjo mendoj, përsëri krijoi humbje kohe dhe në mënyrë të veçantë, largimin nga mundësia e hapjes reale të Shqipërisë me Evropën dhe botën në tërësi.
Le të vijmë në ditët tona. A kemi prapë ne shqiptarët një shans që Gjermania të jetë udhëheqëse e zhvillimit tonë ekonomik, ndoshta duke marrë shkas nga vizita e Kancelares Merkel? Si mund të mos e humbasim këtë shans të dytë që na është dhënë?
Ne sot, jemi kandidatë në proceset integruese për në BE. Është e vërtetë që Gjermania është shtet mjaft i fuqishëm brenda BE por Gjermania në politikën e jashtme ka qenë shumë kujdesshme pas luftës. Mban qëndrime korrekte parimore në raportet e saj, demokratike dhe të barabarta me aleatët brenda organizatës së përbashkët evropiane. Ajo nuk ka dashur të luajë rolin e violinës së parë e të jetë në krye të Bashkimit Evropian apo të “liderit” të tij. Gjermania ka kultivuar qëndrim komunikues, demokratik dhe bashkëpunues me të gjitha vendet e kontinentit dhe përtej tij. Ajo është kontribuuesja më e madhe në BE. Ka qenë ajo që insistoi, aplikoi për herë të parë si dhe mbuloi financiarisht monedhën e përbashkët evropiane, veç të tjerash. Aktualisht, Berlini është në krye të përballimit të krizës së thellë ekonomike dhe financiare të Greqisë. Qeveria dhe populli gjerman janë ata që po përballojnë aktualisht një megakrizë politike dhe ekonomike që po i vërsulët aktualisht me çështjen e refugjatëve.
Pa asnjë mëdyshje, me bindje të plotë, mund të themi që marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë janë jashtëzakonisht të rëndësishme, veçanërisht në kuadrin panevropian. Por, ne duhet të kemi parasysh,diçka thelbësore në këto marrëdhënie. Gjermanët kanë një parim të tyrin: partneritet të barabartë por siguri për investimet. Kjo do të thotë: së pari, që ne të largohemi nga “fiktiviteti” në realizimin e standardeve të domosdoshme legale, që garantojnë dhe sigurojnë investimet gjermane në Shqipëri. A i kemi realizuar ne këto standarde? Mendoj që akoma jemi larg tyre. Është e nevojshme t’i ofrosh partnerit standardet e sigurisë, mbrojtjes së kapitalit të investuar, që aplikohen sot midis vendeve të BE.
Pas vendosjes së këtyre standardeve, duhet patjetër familjarizim me kapitalin gjerman. Në këtë pikë, ne kemi dobësitë tona. Ende kemi mangësi, për fat të keq, në përqasjen që i bëjmë atij. Prezenca e tij ka kërkesa të larta për të arritur parametrat e biznesit bashkëkohor. Nuk kam ndërmend të bëj një analizë të plotë të këtij problemi, por mendoj që kemi shumë për të bërë në ketë pikë, veç spekulimeve që përdoren nga politika, që duket se ka ende reminishenca të së kaluarës. Mendoj gjithashtu se ende kemi nevojë të nxjerrim mësime prej saj. Populli është i lodhur me humbjen e kohës.
Nuk duhet të humbasim shanset e radhës që na ofron koha, ndryshe, do të instalonim një shoqëri dhe një sistem riciklik të dizavantazhit të përbashkët. mapo
















