Ylli Manjani ka deleguar kompetencat e tij si ministër i Drejtësisë te zëvendësi Arben Isaraj. Urdhri i delegimit, i publikuar në Fletoren Zyrtare, vlen vetëm për datën 3 qershor dhe në të nuk jepen shpjegime mbi arsyet e veprimit të titullarit të ministrisë. “Urdhëroj delegimin e kompetencave të titullarit të Ministrisë së Drejtësisë në datën 3.6.2016, zëvendësministrit të Drejtësisë, z. Arben Isaraj”, thuhet në urdhrin e firmosur nga vetë Manjani.
Praktika e delegimit të kompetencave përdoret kryesisht në rastet e largimit jashtë vendit të titullarit të ministrisë. Ministria e Drejtësisë bëri të ditur në mbrëmje se “ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët të qeverisë Shqipëri-Kosovë”.
“Në kushtet kur Ministrit i duhet të jetë i pranishëm në aktivitete jashtë vendit dhe për këtë duhet të kalojë kufirin shtetëror, për vijimin normal të punës, firma e tij duhet të delegohet. Një veprim i tillë parashikohet në Kushtetutë dhe në Kodin e Procedurave Administrative dhe në respekt të tyre Ministri vepron rregullisht kur kalon kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Ministria e Drejtësisë.
URDHËR
Nr. 4129, datë 2.6.2016
PËR DELEGIM KOMPETENCE
Në mbështetje të nenit 102, pikës 4, të Kushtetutës, nenit 7, pikës 2, të ligjit nr. 8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, të nenit 28, të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,
URDHËROJ:
Delegimin e kompetencave të titullarit të Ministrisë së Drejtësisë në datën 3.6.2016, zëvendësministrit të Drejtësisë, z. Arben Isaraj.
Ngarkohet zëvendësministri, z. Arben Isaraj, për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I DREJTËSISË
Ylli Manjani















