Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Partia Demokratike të miratojë sa më shpejt reformën në drejtësi. Në një njoftim të ambasadës amerikane në Tiranë thuhet se, “ndihmës-sekretarja e Shtetit për Çështje Europiane dhe të Euroazisë, Viktoria Nuland, i telefonoi sot udhëheqësit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, për të nxitur përparim lidhur me përpjekjen për reformën në drejtësi”.
“Ndihmës-sekretarja Nuland theksoi se udhëheqësit e partive politike duhet ta përdorin takimin e 6 qershorit midis z. Basha dhe kryeministrit Rama për të rënë dakord për miratimin e shpejtë të një pakete reforme kuptimplotë dhe tërësore në drejtësi. Nuland theksoi se kjo reformë gëzon mbështetje të mirë mes popullit shqiptar dhe mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së”, theksohet në njoftimin e SHBA-së.
Rama dhe Basha pritet të takohen të hënën e ardhshme për të diskutuar për reformën në drejtësi.















