Shqiptari, i cili mbrëmjen e djeshme shkaktoi panik në Follonica të Italisë, kur u shfaq i armatosur me pushkë në shëtitoren pranë detit në qytetin e Golfo-s, është vënë në pranga, raportojnë sot mediat lokale.
Bëhet fjalë për një 39-vjeçar, pa leje qëndrimi në territorin italian, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, shkruan Syri.net.
39-vjerçai, i dehur, e kishte filluar mbrëmjen duke ngacmuar disa bashkatdhetarë në shëtitoren pranë detit.
Një prej tyre kërkoi ndihmën e një shoku dhe mes këtij të fundit dhe 39-vjeçarit nisi një grindje verbale që përfundoi në kërcënime me vdekje.
Grindja dukej se përfundoi aty, edhe pse gjatë kësaj kohe në vendngjarje mbërriti një patrullë policie, që kishte nisur të mblidhte informacion rreth konfliktit, shkruajnë mediat lokale.
Megjithatë, pas pak, 39-vjeçari shqiptar u kthye me një pushkë gjahu. Por, sapo pa praninë e efektivëve, ai tentoi të largohej me pushkë në dorë dhe duke përhapur panik te personat e pranishëm në zonë në ato momente.
Efektivë të policisë u vunë në ndjekje të tij dhe arritën ta arrestonin në një kohë të shkurtër.
Në telashe, përfundoi edhe një i moshuar vendas, i cili mirëpriti shqiptarin në arrati. Në banesën e tij u gjet një pushkë, e cila u sekuestrua. /Syri.net/
















