Vetëm tre muaj pas divorcit, ai martohet me një azilkërkuese nga një qendër azili, shkruan më tej portali i përmendur.
Ndërsa shembulli më markant në këtë drejtim, është ai i shqiptarit Petrit C. Në vitin 2010 ai, pas tri vitesh martesë, shkurorëzohet nga gruaja e tij në vendlindje dhe vjen në Luksemburg. Gruaja dhe vajza njëvjeçare mbeten në shtëpi.
Pas vetëm dy muajsh ai martohet me Ursula H, një grua njëzet vjet më e vjetër se ai, nga Luksemburgu, përcjell albinfo.ch. Edhe këtu mostra e njëjtë: pasi kalojnë saktësisht pesë vjet vjen divorci. Dhe vetëm pas një muaji ai martohet sërish me ish gruan! Ndërsa kulmi i kësaj afere: që në kohën sa ishte i martuar me Ursulën, Petriti ka nisur me ish gruan edhe një vajzë tjetër.
Në rastet sikur ky, alarmi duhej të ndizej te secili zyrtar përgjegjës. Por, as kryebashkiakët dhe as zyrtarët nëpër ministri nuk e lodhin kokën lidhur me shkurorëzimet e “çuditshme” që ndodhin saktësisht pas pesë viteve. Dhe me martesat me ish partneret, që pasojnë shumë shpejt pas kësaj! Reagime nuk ka ndërkohë Luksemburgu ka mundësinë ligjore për t`i dhënë fund kësaj tollovie.
Sipas ligjit, një personi të huaj mund t`i merret leja e qëndrimit kur të konstatohet se ai ka bërë martesë fiktive për të siguruar qëndrimin në Luksemburg, ose në rastet kur këta nuk jetojnë së bashku.






















