Protestës së opozitës i është bashkuar edhe komuniteti shqiptar që jeton në Belgjikë. Manifestimi po zhvillohet në Sheshin “Schuman”, përballë Komisionit Europian në Bruksel. Protestuesit kërkuan zgjedhje të lira, qeveri teknike dhe kanë thirrur në kor “Rama ik”.
Qëllimi i këtij manifestimi është sensibilizimi i institucioneve europiane për rrezikun e votës së lirë dhe demokracisë në Shqipëri.
Ne një video live te shpërndare ne “Facebook” nga kryetari i Partisë Demokratike dëgjohet fjala e bashkatdhetarëve që i bëjnë thirrje popullit shqiptarë që të mbahje zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përbri materialit video kreu i PD-së shkruan: “Kauza jonë është kauza e të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë. Sot, ne jemi të gjithë bashkë për #ZgjedhjeTeLira”.
Kujtojmë se protesta të tilla do të zhvillohen në shumë qytete të Evropës, me idenë për ta përhapur sa më shumë revoltën kundër Ramës dhe për të sensibilizuar ndërkombëtarët.
Partia Demokratike, që prej 18 shkurtit po proteston në një çadër të ngritur para kryeministrisë, ku kreu i saj, Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të largohet nga ai shesh nëse Rama nuk do të japë dorëheqjen për të krijuar qeveri teknike.
Sipas Bashës, e vetmja rrugë që Shqipëria të ndahet një herë e mirë nga zgjedhjet e vjedhura është që këto zgjedhje të organizohen nga një qeveri teknike.






















