Në Maqedoni ka numër të konsiderueshëm të shqiptarëve ortodoks. Numër i madh i tyre ende nuk prezantohen si të tillë. Tani edhe ata vet nuk e dinë se çka janë. Mbajtja e liturgjive në gjuhën shqipe do të ndihmojë në njohjen e tyre, thotë Branko Manojllovski, kryetar nderi i shoqatës «Josif Bageri»

Dëshirojmë të ketë liturgji edhe në gjuhën shqipe në kishat e Kishës Ortodokse Maqedonase(KOM), sepse në vendin tonë ka numër të madh të shqiptarëve ortodoks. Këtë ide planifikojmë që së shpejti t’ua prezantojmë autoriteteve kishtare që të gjejmë një mënyrë se si të realizohet kjo, ka deklaruar për gazetën «Dnevnik» Branko Manojllovski, kryetar nderi i shoqatës «Josif Bageri», e cila angazhohet për afirmimin e pjesëtarëve të këtij komuniteti. Manojllovski, i cili jeton në fshatin Kiçnicë të Mavrovës, por edhe në SHBA, viteve të fundit posaçërisht angazhohet për afirmimin e kësaj kategorie të qytetarëve dhe për numrin e të cilëve konsideron se është shumë i madh në vendin tonë. Në këtë fshat, në të cilin, përveç tij, jeton vetëm edhe një banorë më i vjetër, para disa ditëve është plaçkitur kisha e fshatit kushtuar Shën Nikollës në të cilën ka punuar Diço Zografi, ku janë vjedhur ikona të vlefshme dhe relikte të tjera.

«Sipas vlerësimit tim, në Maqedoni ka numër të konsiderueshëm të shqiptarëve ortodoks. Numër i madh i tyre ende nuk prezantohen si të tillë. Tani edhe ata vet nuk e dinë se çka janë. Mbajtja e liturgjive në gjuhën shqipe do të ndihmojë në njohjen e tyre. Deri tani kam patur disa kontakte me vëllazërinë nga Manastiri i Bigorit dhe prej aty më kanë thënë se kanë disponim pozitiv për këtë ide», thotë Manojllovski. Sipas tij, problemi qëndron edhe në faktin se në radhët e Kishës Ortodokse Maqedonase nuk ka priftërinj shqiptarë, ose të tillë që e dinë gjuhën shqipe. Për shkak të kësaj, ai konsideron se nevoja e tyre do të mund të realizohet me angazhimin e priftërinjve nga Kisha Ortodokse Shqiptare.

«Unë kam kontaktuar edhe me priftërinjtë e KOSH, por përgjigjja e tyre ishte se problemi është që KOM-i është ende kishë e panjohur ortodokse. Për shkak të kësaj, për zyrtarët kishtar shqiptar është problem të komunikojnë me KOM-in. Derisa të gjendet zgjidhje, ne nuk mund të kemi liturgji në gjuhën amtare», potencon Manojllovski.
Peshkopi kompetent i Tetovës dhe Gostivarit-Josifi, deklaroi se për këtë ide mund të bisedohet.

«Personalisht si peshkop për herë të parë dëgjoj për një iniciativë të tillë. Është mirë që për gjëra të këtilla të bisedohet me peshkopin kompetent. Tash më ekzistojnë mendime se si të realizohet një dëshirë e këtillë. Ftojmë iniciatorët që të takohemi dhe të bisedojmë», tha peshkopi Josif.
Kisha Ortodokse Maqedonase është e hapur për mbajtjen e liturgjive në gjuhët e pjesëtarëve të bashkësive etnike në vend. Shërbime të këtilla bëhen për pjesëtarët e komunitetit vlleh dhe serb.

Manojllovski për veten thotë se është ndër të parët që viteve të fundit në opinion aktualizon çështjen e ekzistimit të shqiptarëve ortodoks. Ai shpjegon se shqiptarët ortodoks në vendin tonë më së shumti jetojnë në 17 fshatra në rajonin e Rekës së Epërme, në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Banorë ortodoks, shton ai, ka edhe në anën tjetër të kufirit. Emrin dhe mbiemrin e tij, që është jotipik për emërimet shqiptare, ai e shpjegon si rezultat i situatave që kanë ekzistuar në vendin tonë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Ai thotë, se tani është vështirë të ndërrohet, sepse gjatë gjithë këtyre viteve vetëm këtë emër e ka përdorur (dnev)/llh
















