Nga Aleksandar Trifunovic
Optimizmi i njerëzve të këtushëm është kapitali më i madh që ka Shqipëria. Ky vend po zgjohet dhe ka pritje reale për nisjen e procesit të integrimeve europiane, se edhe ashtu veten e konsiderojnë europianë.
Para nisjes për në Shqipëri, nuk e dija se cilën ta kujtoja më parë, nga ato shakatë dhe talljet e shumta në llogari të shqiptarëve. Atëbotë talleshim me Shqipërinë deri në atë masë sa me asnjë vend tjetër, madje, më shumë se edhe me Çekosllovakinë. Më së shumti e kisha mbajtur në memorien time atë talljen qëllimkeqe se pilotët e tyre kanë fshirëse xhamash nga ana e brendshme, meqenëse fluturojnë duke imituar zhurmën e fluturimit, prandaj ato iu duheshin për ta pastruar pështymën.
M’u kujtua filmi WAG THE DOG, në të cilin luajnë aktorët Dustin Hoffman dhe Robert de Niro, në të cilin aktrojnë përpjekjet e mjekëve për ta zhvendosur vëmendjen nga skandali seksual i Presidentit të Amerikës, duke imagjinuar një luftë fiktive ndaj një vendi tjetër. Zgjedhja se kundër kujt duhet luftuar bie mbi Shqipërinë, një vend i vogël dhe për amerikanët një vend i vogël dhe i panjohur. Edhe pse ne me shekuj të tërë kufizohemi me Shqipërinë, megjithatë pak kemi ditur për të, ashtu që edhe në rastin tonë Shqipëria ishte një zgjedhje e mire për një konflikt të imagjinuar.
Diktatura gati se 50 vjeçare, e cila ishte edhe më e rreptë se ajo e Stalinit, kishte lënë gjurmë të thella te banorët e sotëm të Shqipërisë. Gjatë kohës së Enver Hoxhës për lindjen e fëmiut të 12-të, nëna shqiptare do të merrte për shpërblim një lopë. Nuk mund ta marrë me mend përmasën e dëshpërimit, andaj gratë shqiptare shihnin vetëm një rast për të dalë nga varfëria – ta fitonin një lopë.
Qëndrova në Tiranë me dhjetëra kolegë të tjerë nga rajoni, falë ftesës që kisha marrë nga OSBE për pjesëmarrje në Konferencën mbi gjendjen e mediave në Europën Juglindore. Gazetarët shqiptarë ankohen për të ardhurat e tyre të vogla mirëpo e thonë me plotë bindje se nuk ka thuaja fare presion të politikës në punën e tyre.
Edhe pse vendi banohet nga myslimanët, katolikët dhe ortodoksët dhe se shumica e faltoreve të tyre gjenden mu në kryeqendër, Enver Hoxha e kishte “vrarë Zotin” te shqiptarët, andaj edhe sot gati se dy të tretat e qytetarëve deklarohen si ateist.
Në shikim të parë Tirana duket një vend komod dhe qëllimmirë. Automjetet që qarkullojnë i ngjajnë cilit do vend të Europës Perëndimore. Edhe pse shquhen për preferencën që kanë për Mercedes-in, megjithatë vetura të tilla nuk kishte edhe aq sa përflitet.
Tollovia në orët e hershme të mëngjesit e shkaktuar nga moria e madhe e makinave në qendër të qytetit – rreth Sheshit Skënderbeu – të bënë të mendosh se është një mrekulli e mahnitshme se si shmangen aksidentet që duken se potencialisht mund të ngjajnë në çdo çast. Por diçka e tillë megjithatë nuk ndodhë.
Shitore ushqimore ka në çdo hap, ndërsa çmimet, kur nuk janë të ngjashme me tonat, gjithsesi janë më të ulëta se te ne. Njerëzit e këtushëm të përgjigjen të buzëqeshur sa herë që iu drejtohesh për diçka.
Kafiteritë dhe baret janë të dizajnuar me plotë shije. Veçova me këtë rast Bar Radio me një përzgjedhje të shkëlqyer muzikore, shërbim të mirë dhe dizajn origjinal të enterierit, dizajn ky i cili përbëhet nga një mori radio-aparatesh të vendosur nëpër gjithë hapësirën e lokalit. Edhe pse ka disa lloje të birrave vendore, të rinjtë shqiptar kryesisht rekomandojnë ato të huajat, e më së shumti birrën gjermane dhe turke.
Taksisti i cili më dërgoi deri te hoteli e fliste për bukuri gjuhën që unë e kuptoja. Pra këtë gjuhën tonë. Ai për vite të tëra kishte sjellë nëpër ish-Jugosllavi grupe turistësh shqiptar dhe me ëndje e kujton atë kohë.
Ai sot me profesionin e taksistit siguron rreth 600 euro të ardhura mujore. Ka tre djem, njërin në Angli, tjetrin në Amerikë, ndërsa të tretin këtu në Tiranë. Thotë se është i lumtur, por ai thotë se mund të ishte edhe më mirë.
Rreth një milion shqiptarë jashtë vendit dhe paratë që ia dërgojnë të afërmeve të tyre, shpesh janë edhe i vetmi burim i të ardhurave për shumicën e popullatës.
Shqipëria është një vend i varfër dhe se shqiptarët shpresat e tyre i kanë varur te Edi Rama, një ish-kryebashkiak i Tiranës dhe tani kryeministër i Shqipërisë. Ky piktor 49–të vjeçar i arsimuar në Francë dhe ish -basketbollist i përfaqësueses së Shqipërisë, sipas gjitha gjasave është më e bukura gjë që i ka ndodhur Shqipërisë në vitet e fundit. Ishte lider i protestave kundër qeverisë së mëparshme dhe një prefekt i moderuar i Tiranës, të cilën gjatë mandatit të tij e shndërroi në një vend ku mund të jetohet me dinjitet.
Në fillim të mandatit të bashkiakut, premtoi se do të mbillte nga një pemë për çdo kokë banori të Tiranës. Edhe pse nuk i numërova ato, mirëpo drunj, shëtitore dhe parqe ke në çdo hap të këtij qyteti. Me të marrë postin e kryebashkiakut, në kabinetin e tij ftoi të rinjtë e suksesshëm dhe të arsimuar, pa ndonjë përvojë në politikë, mirëpo shumica ishin djem e vasha që njihnin gjuhët e huaja dhe shkathtësitë bashkëkohore.
Hapi një linjë në përkrahje të qytetarëve, një shërbim telefonik aktiv në të cilin qytetarët kishin mundësinë që çdo ditë të përçonin komentet dhe ankesat e tyre. Ai iu dha qytetarëve të Tiranës ngjyrë dhe brusha duke iu rekomanduar atyre që objektet e qytetit t’i fasadojnë me ngjyra të ndryshme, duke e mënjanuar kështu aurën e hirtë të objekteve nga koha e regjimit të Enver Hoxhës, edhe përkundër kiçit që përmbante megjithatë u prodhua një kreativitet më gazmorë..
Në ditën e parë të mandatit në funksionin e kryeministrit, thjeshtë e prishi marrëveshjen mbi deponimin dhe riciklimin e mbeturinave italiane në Shqipëri. Të gjithë anëtarët e kabinetit të tij qeveritar janë të rinj pa afera korruptive, të cilët e kanë obligim të vijnë me transport publik. Njerëz në këtë punë jemi së bashku! – është motoja dhe mesazhi që ai përçon nga viti 2000, prej kur se është futur në politikë, e që Edi Ramën e dallon prej të tjerëve,
Këtë solidarësi Rama e promovon në çdo hap që ndërmerr. Është thellësisht i vetëdijshëm për shkallën e korrupsionit në të cilin është kurthuar kjo shoqëri, deri në atë masë sa që duhet gjetur lidhje për shkollimin e fëmijëve, për t’u shëruar, apo të fitoni një vend pune. Shqipëria është një nyje e rëndësishme e krimit sa i përket tregtisë së drogës, tregtisë me njerëz dhe për kalimet ilegale të emigrantëve. Qeveria e re me të madhe është duke planifikuar për të zënë hapin në përballimin e tyre dhe tani më ia kanë nisur kësaj pune.
Pak para se të nisesha për në shtëpi, duke kërkuar në Tiranë një shitore ku mund të bleja dhurata për familjen, rastësisht takova një shqiptare, burri i së cilës ishte me origjinë nga Bosnja. Më luti të prisja pak deri sa ajo ta ftonte burrin e saj për të biseduar. Doli që Dino, bashkëshorti i saj, ishte lexues i “www.buka.com”, një befasi kjo e këndshme për mua ngase kështu u bëmë edhe më të afërt. Përndryshe Dino është shef i përfaqësisë së orëve të Swatch-it për Shqipërinë, duke thënë se kishte gjatë menduar para se të kishte vendosur për të jetuar në Shqipëri, mirëpo sot nuk pendohet për asnjë moment të qëndrimit në këtë vend. Fëmijët e tij shkollohen në entet private parashkollore dhe shkollore, duke shtuar se kushtet që ka këtu nuk do t’i kishte në Bosnjë.
I tregova se edhe fati im disi ishte i lidhur me Shqipërinë, ngaqë si shkas për t’u njohur me gruan time ishte një artikull i saj i shkruar para dhjetë vitesh, për revistën që e redaktoja atë botë, e i cili i kushtohej Shqipërisë.
Dino na dërgoi në Durrës, 40 kilometra larg Tiranës. Në rivierën e shqiptare ka gjithnjë e më shumë turistë ndërkaq për rreth Durrësit ishin ndërtuar objekte të shumta, të cilat jepen me qira. Mirëpo kjo megjithatë as për së afërmi nuk i ngjanë një turizmi serioz ngase infrastruktura është ende e dobët. Mirëpo nëse dëshironi të pushoni në plazhe të bukura dhe ujë të pastër deti dhe me çmime të përballueshme, Shqipëria është një zgjedhje e mirë. Meqë gjatë kohës së Enver Hoxhës nuk kishte degradim hapësinor, kjo ka bërë që në çdo hap të shihni vende arkeologjike. Thjesht ato ju bëjnë për vete duke ju lënë pa fjalë.
Optimizmi i njerëzve të këtushëm është kapitali më i madh që ka Shqipëria. Ky vend po zgjohet dhe ka pritje reale për nisjen e procesit të integrimeve europiane, se edhe ashtu veten e konsiderojnë europianë.
Natyrisht se gjendja nuk është shumë e mirë, mirëpo biejnë në ujë të gjitha stereotipet tona para provave e dëshmive që hasen në çdo hap, se shoqëria të cilën e kemi tallur me dekada të tëra, sot është me dekada para nesh. Pra, kanë edhe aeroport nga i cili fluturojnë aeroplanë, të drejtuar nga pilotë të cilët nuk kanë nevojë për fshirës xhamash, në anën e brendshme të kabinës.
Deri sa aeroplani, me të cilin po kthehesha në shtëpi, u ngrit nga aeroporti i Tiranës në një ditë me mot tepër të mire, gjatë fluturimit nuk mund ta ndaja shikimin nga fushat e larmishme të bashkërenditura me një kujdes, si gurët e dominos, nga Durrësi deri në Detin Adriatik, me një kolorit të tillë të cilin do ta kujtoj shumë gjatë. Mendoja se gjithë ata kronistë e udhëpërshkrues, të cilët kishin kaluar në këto hapësira pak shekuj më parë, dhe në kronikat e tyre i kishin përshkruar bukuritë e Ballkanit aq magjike sa në dukje nuk përkojnë me realen, duket se atë e kishin bërë sikur t’i kishin parë nga lartësitë qiellore. Gjatë fluturimit në mijëra metra lartësi shihja zona që me bukurinë e tyre të linin pa frymë. Shihja Bunën dhe plazhin e gjatë ranor i mbështetur për të, ndërsa pas vetëm pak çastesh të bie në sy Boka e Kotorit mbi të cilin si një shenjtor mbrojtës ngrihet Llovqeni duke vazhduar me Dubrovnikun, Trebinjen, ndërsa shikimi tejshkon edhe qindra kilometra larg përmes Hercegovinës dhe ishujve të Adriatkut, Mostarin… kështu fiton përshtypjen se kreatorit të botës i kishte mbetur edhe pak kohë deri në fundin e afatit andaj kishte vendosur që të gjitha bukuritë e mbetura në thes t’i derdhte në Ballkan. Deri sa Ballkani ka zona aq të bukura dhe mahnitës, megjithatë njerëzit janë të çmendur dhe të pafat.
Po mendoja se ndoshta gjithçka do të ishte më ndryshe sikur ndonjëherë të kishim pasur dëshirë që vërtetë ta njihnim njëri-tjetrin.www.buka.ba














