Në një të ardhme të afërt, vendi ynë fqinj Shqipëria, do të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle deklaroi se “është inkurajuar nga reformat që nxisin Tiranën”, ndaj Komisioni i rekomandon Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së të japë dritën jeshile. Greqia bën pjesë në të paktat vende, personalisht nuk njoh tjetër veç Italisë dhe ndoshta Austrisë, që e duan me të vërtetë Shqipërinë në familjen europiane dhe mundohet me kapacitetin e saj ta ndihmojë.
Në fakt, udhëheqja politike e Shqipërisë sillet deri diku njësoj si akrepi në historinë me bretkosën. Për ata që nuk e kujtojnë, akrepi i lutej bretkosës ta kalonte nga njëra anë e bregut në tjetrin sepse nuk dinte të notonte. Bretkosa në dyshim, kërkoi që t’i premtonte se nuk do ta pickonte ndërkohë që ajo do ta mbante mbi shpinë dhe ai e siguroi që jo. Në mes të udhëtimit, akrepi i nguli në shpinë thumbin me helm dhe atëherë bretkosa i tha: “Çfarë bëre, do të mbytemi të dy”, teksa mori përgjigjen: “E di, por nuk mundem, është në natyrën time…”
Ndërkohë Greqia, si kryesuese e Bashkimit Europian lufton të “mbajë mbi supe” Shqipërinë në rrugën e saj të vështirë drejt Brukselit, liderët shqiptarë nuk humbasin rastin ta gozhdojnë me “goditje helmuese”. Kështu edhe para disa ditësh, totalisht papritur dhe për qëllime të rivalitetit të brendshëm politik, e implikuan në metoda të shkreta konfiskimi të territoreve shqiptare. Me rastin e akuzave të opozitës për përfshirjen e qeverisë në trafikimin e drogës, ministri i Jashtëm Bushati urdhëroi hetim në ngarkim të udhëheqësit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për marrëveshjen që nënshkroi për kufijtë detarë me Greqinë në vitin 2009. Akuzon ish- ministrin e Jashtëm se nuk ka mbrojtur interesat kombëtare në caktimin e zonave detare në Greqinë. Pra, i dorëzoi armikut territore shqiptare duke tradhtuar…
Nga askund domethënë, dhe ndërkohë që bisedimet për zhbllokimin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet dy vende janë në një fazë delikate, qeveria e Tiranës, në përpjekje për të lënduar e goditur opozitën, nuk hezitoi të kritikonte Greqinë për synime grabitqare. Dhe e bëri këtë në momentin që në Bruksel, Greqia po përpiqej që Shqipëria të merrte statusin e lakmuar të vendit kandidati dhe vetëm pak ditë pasi Athina i kishte bërë një “dhuratë” Tiranës, çështjen e toponimeve në pasaporta, që të mos viktimizoheshin mijëra emigrantë nëpër kufij. Pas kësaj, ndonjëri pyet veten nëse kanë të drejtë ata që në Bruksel nuk duan fqinjët tanë të mirë në “pallatin europian”, duke u atribuuar dygjuhësimin dhe “dinakëritë ballkanike”.
*Marrë nga e përditshmja greke Katherimini














