Agjensia Kombëtare e Provimeve shpall sot listën përfundimtare të kandidateve fitues për në universitete. Ata që janë shpallur fitues, duhet të bëjnë regjistrimin në sekretaritë mësimore ku janë shpallur fitues, nga data 1 tetor deri në datën 7 tetor, me dokumentet përkatëse.
Sekretaritë mësimore të fakulteteve, nga data 1 tetor 2014 deri më 7 tetor 2014, prej orës 8:00 deri në orën 18:00, do të pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatët fitues.
Kandidatët duhet të dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues: Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë).
Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit, e panoterizuar. Si dhe 2 fotografi personale së bashku me mandat-arkëtimi të tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare për llogari të universitetit përkatës, siç përcaktohet në udhëzim.
Këta kandidatë të cilët regjistrohen përfundimisht në sekretari mësimore, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në raundin pasardhës, ku parashikohet dhe aplikimi me Formularin A3.















