Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë del sot me një qëndrim të përbashkët lidhur me reformën e decentralizimit. Përrfaqësues të 384 njësive vendore në të gjithë vendin do të mblidhen në një konferencë në Pallatin e Kongreseve ku do të miratohet edhe rezoluta.
“Nga kjo konferencë do të dalë dhe rezoluta e përbashkët e të zgjedhurve vendorë lidhur me thellimin e reformës së decentralizimit dhe zgjerimit të autonomisë vendore, si dhe lidhjen e saj me një riorganizim të arsyeshëm e të përshtatshëm të territorit, që respekton dhe ka në qendër të vëmendjes interesat e qytetarëve dhe komuniteteve vendore, të drejtën e tyre për t’u vetëqeverisur, për t’u pyetur dhe dëgjuar për çdo ndryshim”, thuhet në një njoftim të Bashkisë së Tiranës.
Një çështje e rëndësishme që do të jetë pjesë e draftit përfundimtar ka të bëjë me mbështetjen që duhet t’u japë Parlamenti propozimeve të shoqërisë civile.
“E gjithë paketa reformuese të mbështetet te propozimet e shoqërisë civile dhe ekspertëve shqiptarë e ndërkombëtarë, si dhe të konsultohet paraprakisht me të zgjedhurit vendorë dhe grupet e ndryshme shoqërore”, thuhet në draft-rezolutë.
Në draft-rezolutë peshën kryesore për paketën reformuese do ta mbajnë propozimet e ekspertëve, një prej të cilëve flet për një ndarje nga 88, deri në 100 njësi vendore. Ndërsa një pikë tjetër e rëndësishme për opozitën vazhdon të jetë konsensusi politik në Kuvend, i cili duhet të jetë në bazë të çdo vendimi për çështjen e reformës administrativo-territoriale.















