Avokati i nipit të Enver Hoxhës, sot në gjykatë i ka mëshuar faktit se ai nuk ka mundësi ekonomikedhe se nuk ka qënë gjë tjetër veçse taksixhi i kolumbianëve. Ai është shprehur se Ermal Hoxhakishte zgjedhur këtë rrugë, për shkak të pamundësiveekonomike.
Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit të komunizmit, Enver Hoxha, do të qëndrojë në burg deri në fund të hetimeve për rrjetin e trafikut të kokainës. Kjo është masa e sigurisë që Gjykata e Krimeve të Rënda dha sot gjatë një seance me dyer të mbyllura ndaj Hoxhës dhe katër pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal, mes tyre dhe dy kolumbianë, ekspertë në përpunimin e drogës.
Përmes avokatit Asaf Haderaj, Hoxha ka pranuar lidhjen me dy kolumbianët. Sipas mbrojtjes, ai bënte vetëm taksexhiun e tyre nga Tirana në drejtim të fshatit Xibrakë në Elbasan, ku ishte ngritur laboratori i drogës. Avokati ka shtuar se transportin, nipi i ish-diktatorit e bënte me makinën e vëllait të tij, tip Volvo.
“Po është e vërtetë, çdo njëri nga ne mund të shoqërohet me çdo person që hyn e del në Shqipëri për interesat e tij ekonomike. Ai ka shoqëruar kolumbianët duke e paguar ata si taksist. Si Ermal Hoxha ka lëvizur me Ferrari nëpër Shqipëri e Tiranë, kur ai s’ka makinë të tijën, është i papunë, është i pa shtëpi, është me qera. I ka transportuar me makinën e vëllait të tij dhe kjo makinë është sekuestruar. Qëndrimi i klientit tim është ky, se s’ka pranuar akuzën”, u shpreh Haderaj.
Avokati i kërkoi gjykatës zbutjen e masës nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”, kërkesë e cila u rrëzua. Ai paralajmëroi se do të ndjekë shkallët e tjera të drejtësisë, për të kundërshtuar këtë masë.
“Ne kërkuam në gjykatë që arrestimi i kryer në drejtim të klientit që përfaqësoj, të konsiderohet i paligjshëm për faktin se në adresë të tij, nuk ka asnjë provë konkrete që të ligjësojë arrestimin e tij dhe akuzën. Unë kërkova që masa e sigurisë “arrest me burg”, të ndërrohet duke u vendosur “detyrim paraqitje”. Do të ndjekim shkallët e drejtësisë, për të provuar të drejtat tona ligjore”, deklaroiavokati pas përfundimit të seancës.
















