Primo Shllaku, drejtori i Instituti i Mbrojtjes së Vlerave të Gjuhës Shqipe tha se “do të ishte mirë që të bashkëjetojnë brenda gjuhës shqipe të gjitha format e shprehjes”
Gjuhëtarë dhe intelektualë nga të gjitha trevat etnike të Shqipërisë brenda dhe jashtë kufijve diskutuan në Elbasan mbi zhvillimin e dialektit geg nëpër vite si dhe ndikimin e saj në popullatë, veçanërisht në trevën e Elbasanit.
Diskutimi u bë në kuadër të Konferencës së Dytë Kombëtare “Gegërishtja sot dhe Elbasanishtja” të zhvilluar në Bibliotekën Publike “Qemal Baholli” të Elbasanit.
ATSH raportoi se konferenca u organizua nga Instituti i Mbrojtjes së Vlerave të Gjuhës Shqipe dhe kishte të ftuar kryesisht gjuhëtarë të lidhur me studimin e gegërishtes.
Primo Shllaku, drejtori i këtij instituti kërkoi që “me çdo kusht gjuha shqipe të rivlerësohet”, por duke saktësuar edhe pikëpamjen mbi normën zyrtare:
“Kjo nuk nënkupton prishjen e standartit, ai të qëndrojë në të njëjtin nivel, por kryedialekti i gegërishtes të promovohet e të botohet dhe të hiqen të gjitha paragjykimet”.
Zoti Shllaku theksoi gjithashtu se “do të ishte mirë që të bashkëjetojnë brenda gjuhës shqipe të gjitha format e shprehjes”, duke dhënë arsyetimin mbështetës:
“E folura pavarësisht ngritjes së toskërishtes në standard, nuk ka ndryshuar. Gjuha shqipe duhet të jetë e hapur, por kjo hapje duhet të bëhet në mënyrë të kontrolluar”.
Drejtori Shllaku vërejti se “janë rreth 70% e shqiptarëve që sot flasin ende gegërisht” dhe se “ajo nuk është një gjuhë dosido, por gjuhë e përdorur nga njërëzit me të rëndësishëm të kombit tonë”.
“Shteti, – në këndvështirmin e zotit Shllaku, – duhet t’i nxisë shkrimtarët që përdorin një variant të ndryshëm nga ai zyrtari”.
“Në këtë këtë variant, – shtoi ai, – janë shkruar shumë vepra të rëndësishme të kombit tonë”.