Një mjek tunizian, Fathi Bayoudh, i cili ndodhej në Turqi për të shpëtuar djalin e tij nga kthetrat e Shtetit Islamik, është një ndër viktimat e sulmit terrorist në aeroportin ‘Ataturk’ në Stamboll.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Anouar, djali 26-vjeçar i mjekut tunizian u rekrutua nga xhihadistët në universitet. Por pak ditë më parë, 26-vjeçari i diplomuar si pilot, i kishte telefonuar të atit, duke i kërkuar ndihmë që të kthehej në shtëpi.
Ndërkohë 58-vjeçar ishte nisur për në Turqi, sapo ambasada tuniziane e kishte njoftuar se djali i tij ishte arratisur nga ISIS-i dhe ishte arrestuar në Turqi, kur kishte kaluar kufirin sirian.
Por sapo mbërriti në aeroportin ‘Ataturk’ në Stamboll për të marrë të birin në shtëpi, mjeku tunizian u përball me terroristët, të cilët i morën jetën.















