Asnjë gjurmë nga katër personat e maskuar dhe të armatosur që mesditën e 1 majit sulmuan banesën e një tregtari pike shumice në qytetin e Shkodrës. Blutë e qytetit verior kanë vijuar për gjatë gjithë ditës së djeshme të kërkojnë për këta persona, por vetëm kanë mundur të shoqërojnë disa të dyshuar, të cilët pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë. Dyshimet e para flasin për persona të skeduar edhe më parë në grabitje dhe tentativa, por ende nuk janë siguruar provat e duhura për të shkuar te emrat konkret. Policia e Shkodrës për afro dy orë qëndroi në rrethimin e pallatit ku pretendohej se ishin katër grabitësit e armatosur, por në fund rezultoi se ata nuk ishin aty, por kishin mundur të largohen.
Dje
Policia e Shkodrës vijon punën për identifikimin e 4 personave të armatosur dhe me maska, të cilët ditën e 1 Majit tentuan të grabisin banesën e biznesmenit Sabah Rrashketa në qytetin e Shkodrës. Policia ka marrë dëshminë e biznesmenit për të ndihmuar në zbardhjen e autorëve por nuk dihet ende. “Nuk më kanë marrë gjë. Fati i madh është që fqinjët i kanë parë dhe kanë njoftuar shpejt policinë”, mësohet të ketë thënë ai në polici duke shtuar se grabitësit kishin arritur të thyenin vetëm njërën nga dy bravat, duke mos arritur të hynin në shtëpi. E ka pranuar se ndihet i frikësuar.
I pyetur nëse kishte dyshime se kush mund të ishin autorët, poseduesi i një dyqani ushqimor nuk ka ditur të japë asnjë emër. Me familjen e tij Rrashketa kishte 3 vite që ishte zhvendosur në këtë pallat. Policia ka dyshime se autorët e grabitjes të jenë të njëjtët autorë të grabitjeve të ndodhura kohët e fundit në qytetin e Shkodrës por pa dhënë më shumë detaje për sa iu përket identiteteve të tyre. Sipas burimeve të policisë mësohet se janë siguruar disa pamje filmike, të lëvizjeve të disa personave të dyshimtë rreth e rrotull pallatit por ende nuk ka asgjë zyrtare nëse në këto pamje gjenden këta grabitës./O.Avidaj/















