Bamir Topi e fryu aq shumë marrëveshjen e arritur me Edi Ramën për zgjedhjet lokale, duke e trumpetuar atë si një akt qytetarie në shërbim të interesave të publikut, teksa përpiqej të justifikonte kalimin e disa votave tradicionalisht të djathta, tek e majta.
Kur kanë kaluar vetëm pak muaj nga shtrëngimi i duarve para selisë së PS, marrëdhënia Rama – Topi po nxjerr ajër nga një e çarë e madhe.
Bamir Topi thotë se nëse PS nuk po zbaton paktin dhe se nëse ajo nuk reflekton, FRD do të ndërpresë bashkëpunimin.
Për Topin, shfryrja e koalicionit kishte nisur që me përfundimin e fushatës.
“Luajaliteti nuk duhet të konsiderohet vetëm në parametrat e zhvillimit të një fushate elektorale deri në marrjen e një rezultati. Për një politikan apo grup politikanësh gjëja më e rëndësishme është bashkëpunimi për implementimin e politikave. Duhet të ketë një rikonsiderim të kësaj marrëveshjeje, dhe pastaj në çdo rast, FRD, ndonëse beson shumë nuk shmanget nga vendimmarrje të tilla që do ta rikthenin FRD-në gjithmonë në autonominë e vet të plotë”, shprehet Topi.
Tani topi është ende në fushën e Ramës, dhe i mbetet atij të vendosë nëse do ta vërë në lojë sërish për ta përdorur për zgjedhjet e ardhshme, qoftë edhe të shfryrë.
















