Një sherr që ka përfunduar me disa të plagosur me thikë në tragetin e linjës Ankona- Durrës, ka çuar në arrestimin në flagrancë të autorit, kosovarit nga Mitrovica Altin Hakami.Një i ri 28 vjeç nga Mali i Zi është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Policia e Durrësit njoftoi se ka arrestuar në flagrancë Altin Hakamin, 36 vjeç, lindur në Mitrovicë, Kosovë dhe banues në Londër dhe nisi proçedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve:
• Dalibor Jovanoviç 36 vjeç, banues në Maqedoni;
•Viktor Krstevski 34 vjeç, banues në Maqedoni;
•Dragan Kovaçeviç 29 vjeç, banues në Malin e Zi;
•Dragis Gogiç 25 vjeç, banuese në Malin e Zi.
Më datë 3.08.2016, rreth orës 3:30, në tragetin e udhëtarëve të linjës Ankona – Durrës, duke qënë në lundrim, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Altin Hakami ka plagosur me thikë shtetasin V.M.28 vjeç, banues në Malin e Zi.
Për pasojë shtetasi i mësipërm ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë,në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjithashtu janë plagosur lehtë shtetasit Dragan Kovaçeviç, Dragisa Gogiç dhe Viktor Krstevski.
Gjatë konfliktit kanë marrë dëmtime edhe shtetasi Altin Hakami dhe bashkëshortja e tij shtetësja L. Hakami 35 vjeçe, banuese në Londër, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale:
•”Plagosja e rëndë me dashje”parashikuar në nenin 88 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Altin Hakami;
•”Plagosja e lehtë me dashje” parashikuar në nenin 89 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Dalibor Jovanoviç, Viktor Krstevski, Dragan Kovaçeviç dhe Dragisa Gogiç.















