Komuna e Prishtinës me një varg aktivitetesh sot shënon 15 vjetorin çlirimit të Prishtinës dhe fillimin e largimit të forcave serbe nga kryeqyteti.
Për nder të 11 Qershorit, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë shfaqet program i shkurtër artistik, flasin Drejtori i Arsimit, Jusuf Thaçi, dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, si dhe bëhet ndarja e certifikatave dhe dhuratave për vendin e I,II, III. Shpërblim po ashtu do të ketë dhe për esenë më të mirë në Konkursin në shkallë komune “Gjuhëtari i Ri 2014”.
Po ashtu, do të zhvillohen dy ndeshje sportive miqësore në mes të ekipeve të gjimnazit “Sami Frashëri” të Tiranës dhe gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës.
Kurse, Qendra Kulturore e Fëmijëve, pasdite, organizon koncert me këngë dhe valle në Sallën e Kuqe, si dhe ekspozitë me punë dore nga fëmijë të shkollave fillore.
Ndërsa, në sheshin “Zahir Pajaziti”, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ndan mirënjohje për të diplomuarit e gjeneratës së parë të Normales së Prishtinës, me rastin e 60-vjetorit të diplomimit të tyre. Në të njëjtën kohë, Kryetari Ahmeti do ta shpallë “Qytetar Nderi” të Prishtinës, veteranin e luftës, ish-komandantin e Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, oficerin e karrierës nga Tirana, Adem Shehun, për të vazhduar në mbrëmje me një koncert në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Çlirimi i Prishtinës dhe i gjithë Kosovës ndërlidhet me ndihmën e pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian dhe të veprimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve në ish Jugosllavi. Përvjetori i çlirimit të Prishtinës, kryeqytetit të Republikës së Kosovës, shënon fundin e një epoke të gjatë të përpjekjeve tona për liri, demokraci, pavarësi. Në të njëjtën ditë, pa koordinimin e NATO-së, në Kosovë kanë hyrë edhe forcat ruse, të cilat janë stacionuar në Aeroportin e Prishtinës.
Prishtinë, 11 qershor 2014














