Kryeministri doli sot për të dytën herë para mediave, pas lajmit për konsensus, por edhe të fitores për dinjitetin kombëtar e njerëzor të çdo shqiptar, që dha Lulzim Basha. I nxirë, i mekur, i trembur, Kryeministri u rrek të qetësonte të shqetësuarit rilindës duke ju thënë se nuk ka fituar gjë Lulzim Basha e se vijat e kuqe janë po ato. Për të vërtetuar ç’thoshte lexoi si nxënës i klasës së parë dy tekste: Letrën e sotme të komisionerit Hahn dhe tekstin e projekt ndryshimeve kushtetutese botuar nga Ambasada Amerikane më 30 qershor kur propozimi hibrid u shpall më 10 korrik dhe u negociua ethshëm këto 10 ditët e fundit.
Në fakt, e njëjta gjë që shkruhet në të dy tekstet për rolin rekomandues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). “Lulzim Basha feston kot se asgjë s’ka ndryshuar, vijat e kuqe janë po ato e po aty”- u tha Edi Rama, për t’u mbushur mendjen e qetësuar shpirtin, rilindësve të thekur e të mekur. I ziu Kryeministër që u detyrua të fshihej pas gjethes së fikut. Kujton se shqiptarët e hanë kaq kollaj. As rilindësit nuk e hanë lë më shqiptarët.
Teksti i projektit të ndryshimeve kushtetuese u publikua me 30 qershor nga Ambasada Amerikane. Një kopje ju la çdo deputeti mbi tryezën e vet në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit. Ky tekst u pasqyrua gjerësisht në çdo medie. Sa për ilustrim shihni link të Top Channel të datës 30 qershor: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=330172
Teksti i 30 qershorit i projektit te ndryshimeve kushtetuese pasqyronte çdo nen të dakordësuar deri në atë moment mes palëve politike si dhe, për disa nene, mbarte ende formulime të varianteve më të vjetra për çështjet që nuk ishin dakordësuar e që do vijonin të diskutoheshin. Kështu, mënyra e votimit në Kuvend e kandidaturave të vetting ishte një çështje e padakordësuar pasi diskutohej për votim me 3/5 (apo 2/3 siç ishte premtuar nga Kryeministri) apo diçka tjetër në mes, ndërsa roli i ONM ishte thjeshtë i qarte rol rekomandues për shqyrtimin e kandidaturave për strukturat e vetting dhe ky rol ishte e dakordësuar.
Disa ditë më pas demokratët propozuan mekanizmin e komisionit parlamentar me 6+6 deputetë që votonte dhe prodhonte listën e kandidatëve të cilët votoheshin më pas nga Kuvendi me tre raunde, i pari me 2/3, i dyti me 3/5 dhe i treti me 71 vota ndërsa filtri paraprak i kandidatëve, pra vettingu i atyre që do bënin vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve të bëhej nga një treshe e gjykatësve kushtetues me mundësi apelimi nga Gjykata Kushtetuese me rol rekomandues, monitorues, informues të ONM.
Pas këtaj, me 10 korrik, znj. Nuland prezantoi variantin hibrid të dyshes së ambasadorëve Lu-Vllahutin që pranonte mekanizimin votues të demokratëve, por nuk pranonte mekanizimin filtrues të Gjykatës Kushtetuese e në vend të këtij kërkonte që ONM të merrte rol vendimmarrës me kompetencën që tq hiqte nga lista kandidatet e papërshtatshëm, por pa transparencë, verifikim të fakteve, informim të kandidateve dhe mundësi ankimimi të tyre, pra pa llogaridhënie.
Kjo çështje e varianti hibrid, pra e mënyrës se filtrimit nga ONM te kandidateve para votimit nga Kuvendi, është diskutuar gjithë këto 10 ditë. Në këto diskutime, demokratët kanë patur rol thuajse ekskluziv, LSI rol mbështetës dhe inkurajues, ndërsa Edi Rama u hoq mënjanë, në mos pengoi, ndërsa thoshte se po ratë dakord me ndërkombëtarët ai firmoste çdo gjë.
Ndërsa dyshja e ambasadoreve LU-Vlahutin kërkuan me 10 korrik kompetencë ekzekutive pa llogaridhënie në përcaktimin e kandidateve dhe këmbëngulën deri dje, me kokëfortësi tek ky variant, ndërkombëtarët u vunë përballë dy alternativave të PD: ose të merrnin kompetencë ekzekutive, por me llogaridhënie, pra me transparencë, vërtetim ligjor të vendimit dhe mundësi ankimi të kandidatit ose të ktheheshin tek roli rekomandues i cili nuk ëshytë kompetencë ekzekutive pasi rekomandimi nuk është detyrues për askënd. Alternativën e parë, PD jua kishte ofruar edhe ne variantin e saj të paketës kushtetuese të majit, por ndërkombëtarët nuk e kishin pranuar.
Sot më datë 20 korrik, pas negociatash të Lulzim Bashës, por edhe Ilir Metës me nivelet më të larta të mundshme të SHBA/BE, letra e komisionerit Hahn tregon se ndërkombëtarët, mes dy alternativave zgjodhën të dytën, pra rikthimin tek roli rekomandues i para 10 korrikut, rol i cili ishte i dakordësuar në çdo variant më të hershëm se 10 korriku ndërsa demokratët, përmes variantit hibrid të 10 korrikut morën mekanizimin votues me komision ad-hoc 6+6 anëtarë dhe votimin me përshkallëzim zbritës.
Ndaj, Lulzim Basha ka fakte dhe argumente për të shpallur arritjen e vet të cilën, nuk e quajti betejë e fituar për vete por, ashtu siç është në të vërtetë, betejë e fituar për dinjitetin njerëzor të shqiptareve dhe dinjitetin kombëtar të Shqipërisë.
Ndërsa Edi Rama, që braktisi detyrën e Kryeministrit në këtë betejë, u detyrua sot të fshihej pas dy teksteve të shkruara në kohë të ndryshme sa për të qetësuar të shqetësuarit e rilindjes. Nëse e ka vetëm për këtë qëllim nuk ka problem as për atë vetë as për Shqipërinë. Por, nëse fillon e i beson predikimit të vet problemin ka për ta pasur veç vetë.
Shqiptarët dhe Shqipëria e fituan betejën për dinjitetin, betejë të cilen Kryeministri e la në dorë të Lulzim Bashës dhe Ilir Metës.















