Kreu i opozitës Lulëzim Basha deklaroi sot, se më në fund është gjetur një zgjidhje për kalimin e Reformës në Drejtësi, pa prekur në Kushtetutë pikën më të rëndësishme të saj, sovranitetin e vendit. Kemi atë që shumëkush nuk e besonte, por është thelbësore për një vend që kërkon të futet në familjen e demokracive të zhvilluara me dinjitet; “Non-binding”. Roli i miqve ndërkombëtarë në procesin e përzgjedhjes së njerëzve që do të kalojnë në sitë stafet e sistemit të drejtësisë, përfundimisht do të jetë vetëm këshillues.
***
Sa më shumë që afrohej ora 10 e ditës së enjte për hapjen e seancës, ndoshta më të rëndësishme në historinë parlamentare shqiptare në këto 25 vjet, aq më shumë po bëhej e qartë, se zgjidhja e ngërçit absurd që mban vetën ekskluzivitetin e Ramës, nuk mund të bëhej në Tiranë. Pas çdo hapi që bëhej përpara në tryezën e negociatorëve, Rama nxitonte nga njëra anë të provokonte, nga ana tjetër të cyste përfaqësuesit e vetë të fusnin “kleçka” absurde në draft. Dje në mesditë, Basha lajmëroi një konferencë për shtyp ku kishte planifikuar që të bënte transparente lojërat e Ramës me konsensusin, por u tërhoq pasi Rama hapi dritën jeshile. Dritë që e ka ndezur shumë herë, dhe pas pak orësh e ka shuar publikisht me statuset e tija në Facebook e Twitter, apo nën rrogoz me përfaqësuesit e tij në bisedime. Të paaftë, të pafuqishëm dhe gati të anësuar me kryeministrin, kanë qenë shpesh në këtë proces edhe përfaqësuesit e ndërkombëtarëve në Tiranë. Duket që kjo ka qenë arsyeja që kreu i opozitës ta zhvendosë dhe kërkojë zgjidhjen në Bruksel dhe Washington. Mësohet se mbrëmë për gjithë natën ai ka komunikuar me zyrtarë të lart amerikanë që janë në ndjekje të procesit të reformës në Shqipëri, si dhe me përgjegjësit direkt për vendin tonë në Bashkimin Evropian. Qëllimi ka qenë kthjellimi i mjegullës, ku enkas, ishte futur së fundi procesi. Për orë të tëra Basha u ka shpjeguar shefave të Donald Lu dhe Vlahutin, se opozita “de fakto” e ka firmosur Reformën në Drejtësi, por nuk mund të pranonte artificat e futura aty, të cilat jo vetëm janë antikushtetuese për Shqipërinë, por prekin edhe bazat themelore të demokracive perëndimore, siç janë të drejtat e njeriut.
***
Ajo që nuk dinte opinioni publik, por edhe zyrtarët e lartë në Bruksel ishte debati për vetëm një pikë të fundit e cila po shitej nga Rama si “vijë e kuqe”. Por për çfarë bëhej fjalë?
Fillimisht, duhet bërë e qartë, se opozita gjithmonë ka qenë DAKORT me përfshirjen dhe rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut, gjë që Rama me mjeshtëri, edhe për faj të opzitës, ka mundur ta kthejë në perceptim të kundërt. Gjithsesi. Bëhet fjalë për propozimin e opozitës që roli i ndërkombëtarëve në procesin e Vetingut të rregullohet vetëm me një nen në Kushtetutë, ndërsa mënyra e ushtrimit të rolit të tyre, të rregullohej me anë të një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare që do propozojnë përfaqësuesit e tyre për të mbikëqyrur procesin.
Sipas lajmeve që u zbardhën nga tryeza e treshes PS-PD-LSI, u mësua se socialistët dhe ndonjë përfaqësues i ekspertëve të huaj, kundërshtuan me argumentin se nëse roli i OMN-së do përcaktohej nëpërmjet një marrëveshjeje që do miratohej nga Kuvendi, atëherë ajo mund të ishte e sulmueshme në Gjykatën Kushtetuese.
Pas kësaj opozita ka pranuar që kjo gjë të rregullohet, duke përcaktuar në Kushtetutë, që kjo marrëveshje nuk mund të ankimohej në Gjykatë Kushtetuese, sepse do të gëzojë imunitetin e një akti ligjor të mbrojtur. Kur dukej se kishin rënë dakord, pas një pushimi përfaqësuesi i Euralius dhe pas kësaj socialistët kanë gjetur “kleçkën”, duke pretenduar se kjo nuk e shpëtonte një marrëveshje të tillë, pasi subjekte të veçanta mund ta çonin çështjen në Gjykatës e Strasburgut…Po me gjykatën e Strasburgut çfarë kanë? Dihet që Rama pas ligjit të ri për pronat, nuk e ka fare qejf Gjykatën e Strasburgut, sepse po vazhdoi kështu me vendimet e saj për abuzimin me pronat, së shpejti qeverisë shqiptare, nuk do ti mjaftojnë as paratë e gjithë buxhetit për ish-pronarët, po ndërkombëtarët e Tiranës pse kanë frikë nga gjykata më prestigjioze ndërkombëtare?! Për asnjë çështje, në asnjë vend të globit, nuk ekziston imuniteti nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Të mos harrojmë këtu që me këtë që donin të bënin, nxirrnin “non grata” edhe Gjykatën e Strasburgut…! Por duket se këtë “katranosje” nuk e dinin qartë zyrtarët e BE dhe Washingtonit. Përgjegjësitë janë në Tiranë, por kjo pak rëndësi ka tani, pas lajmit të madh.
***
Nga ana tjetër nuk duhet harruar se çdo ditë e më shumë, u pa se fronti që kundërshtonte planin e Ramës për ta çuar reformën pa konsensus në votim, u zgjerua dhe nuk mund të injorohej nga Washingtoni dhe Brukseli. Ndërhyrja e Ilir Metës e vërtetoi këtë dhe ndoshta ishte deçizive, pasi deri në këtë moment Rama vepronte i mbuluar pas tij. Por tani, Rama nuk kishte më përball vetëm “armikun” opozitë por edhe gjysmën e pushtetit që e mban në karrigen e kryeministrit. Lëvizja e Metës për hir të së vërtetës, këtë herë tejkaloi interesat partiake në ndarjen e pushtetit dhe e rreshtoi atë si ka bërë edhe herë të tjera, në krah të interesit madhor të vendit.
Kurse për sa i përket Lulëzim Bashës, çlirimi dhe gëzimi i tij, kur dha lajmin e shumëpritur, është legjitim sepse ai ka arritur një fitore të disafishtë. Rikonfirmoi veten edhe si politikan atdhetar, modern dhe perëndimor, por edhe si një lider i vendosur dhe largpamës i opozitës. Ky është një lajm i mirë, për një vend që ka një kryeministër i cili nuk e fsheh që ndihet më mirë jo vetëm me një opozitë të dobët, por edhe i bezdisur nga aleati që ka me “detyrim-përcaktim”. Basha deklaroi se ka fituar një betejë, por në fakt ai ka fituar një luftë të egër dhe të pabarabartë…
Tani që u arrit marrëveshja, natyrisht që lufta politike do shndërrohet në ushqim dhe luftë mediatike, se kush fitoi e kush humbi. Por disa gjëra janë të sigurta. Së pari, fituan shqiptarët. Se sa, askush nuk e di, por fituan ama. Së dyti, fitoi opoizita dhe në këtë aspekt, mjafton të shohim vetem një gjë: dallimin midis projektit të qeverisë së shtatorit 2015 për reformën dhe versionin përfundimtar. Të tjerat janë përralla. Së treti, fitoi Lulzim Basha, sepse përfundimisht i zhduku dilemat, si politikan i fortë apo I dobët. Ai vërtetoi se mund tu qëndrojë deri në fund kauzave së tij edhe kur duket se I vënë përballë gjithë botën. Në negociata që të arrish diçka, duhet që njokohësisht të lëshosh diçka. Por ai mori gjithçka deshi dhe nuk lëshoi asgjë.
Kurse përsa i përket Ramës, edhe ai duhet vlerësuar. Për atë që ka vërtetuar, se është mjeshtër i vërtetë: Të shpallë plot krenari humbjen dhe dështimin…















