Nga Bryan Walsh
Teksa politologu i Harvardit, Joseph Nye po ulej, ai vështroi portretin që qëndron në sallën e konferencave. “Ja tek është”, tha Nye.
E kishte fjalën për Henry Luce, themeluesi i revistave TIME dhe LIFE. Në një editorial të vitit 1941 te LIFE, Luce e nxiste SHBA-në që të hynte në Luftën e Dytë Botërore për të mbrojtur vlerat demokratike dhe “për të krijuar shekullin e parë të madh të Amerikës”.
Termi u bë stenografi e periudhës së hegjemonisë gjeopolitike të SHBA-së, që nisi rreth përfundimit të luftës. Por që kur lindi shekulli i Amerikës, amerikanë janë ndeshur me kërcënimet që i kanoseshin superioritetit të vendit. Në vitet ’50 dukej se Bashkimi Sovjetik do t’i groposte SHBA; në vitet ’80 japonezët punëtorë u duk se do t’i linin pas përtacët amerikanë.
Sot rivali i madh është Kina që po rritet. Një sondazh i 2013-s i Pew në 39 shtete nxori se shumica e njerëzve besojnë se Kina është bërë ose do të bëhet superfuqia udhëheqëse e botës, dhe një besim i tillë përfshinte edhe gjysmën e amerikanëve, të cilëve Nye iu thotë: “Nuk mund të ndodhë kaq shpejt”. Si pionier i teorisë së pushtetit të butë dhe si dekani i politologëve amerikanë, Nye e njeh gjeopolitikën. Në librin e tij të ri “Is the American Century Over”, Nye mbështet një tezë të fortë se superioriteti gjeopolitik amerikan ndodhet larg të qenit i eklipsuar, është ende i ngulur mirë në vend dhe ka gjasa të zgjasë. Dhe rreziku më i madh nuk është Kina, India apo Rusia, por është vetë Amerika.
Është e lehtë të harrosh se çfarë kolosi mbeten SHBA sot. Le të marrim fuqinë ushtarake: SHBA jo vetëm që shpenzojnë katër herë më shumë për mbrojtjen sesa vendi nr. 2, Kina, por ato shpenzojnë gjithashtu më shumë sesa tetë vendet e tjera që vijnë pas saj të marra së bashku. Marina amerikane kontrollon detet, dhe ushtria e vendit ka trupa në çdo kontinent të banuar. Forcat e armatosura amerikane janë bërë më mbizotëruese që prej të paktën agimit të shekullit amerikan të Luce-s. Për afërsisht 50 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, fuqia e SHBA-së kontrollohej nga Bashkimi Sovjetik. Por kjo nuk ndodh më sot.
Rënia relative e pushtetit ekonomik amerikan mund të jetë e natyrshme. Sipas një përllogaritjeje, Kina e ka parakaluar tashmë SHBA-në, duke u bërë ekonomia më e madhe botërore. Por kjo është pjesërisht një hile pikëpamjesh. Më 1945-n, për shkak kryesisht të shkatërrimit të Luftës II Botërore, SHBA prodhonin pothuajse gjysmën e PPB-së së botës. Që prej 1970-s, kjo shifër ka rënë pothuajse në çerek, por sikurse thekson Nye, kjo nuk qe çështje e rënies së Amerikës më shumë sesa rikthimi global drejt normalitetit. Afërsisht gjysma e 500 kompanive kryesore ndërkombëtare zotërohet nga qytetarë amerikanë, dhe 19 nga 25 markat kryesore globale janë amerikane.
Por arsyeja më e rëndësishme se përse SHBA do të vazhdojnë të dominojnë është mungesa e një rivali të mundshëm. Nye i hedh poshtë të gjithë: “Bashkimi Europian është shumë i përçarë, Japonia është shumë e plakur, Rusia është shumë e korruptuar, India është shumë e varfër, Brazili është shumë joprodhues”.
Sa për Kinën, Nye pret që ndërkohë që vendi vazhdon të rritet, ai të zërë më shumë hapësirë në skenën ndërkombëtare. Por Pekini përballet me sfida të mëdha të brendshme që mund ta frenojnë rritjen e tij: një mjedis i ndotur, një popullsi e plakur dhe ndërmarrje ineficiente të kontrolluara nga shteti. Dhe më e rëndësishmja, Kinës i mungojnë në mënyrë të ndjeshme përbërësit që i bënë SHBA unike, hapjen ndaj emigrantëve. “Siç më ka thënë një herë Li Kuan Jeu, – tha Nye, duke e pasur fjalën për babain e kombit të Singaporit, – Kina mund të ketë në favorin e saj talentin e 1.3 miliardë njerëzve, por SHBA kanë atë të 7 miliardë të tjerëve”.
Është humbja e mundshme e kësaj hapjeje ajo që e shqetëson Nye-n. A duhen të vendosin SHBA që t’i mbyllin kufijtë apo t’i përshtatin ndaj trendeve ndërkombëtare për t’i dhënë impulse periodike historisë së SHBA-së. Bastet janë të hapura.
Nëse bllokada politike bëhet e përhershme apo pabarazia e të ardhurave vazhdon të rritet, kjo mund ta vërë gjithashtu në rrezik supremacinë amerikane. “Çështja është nëse do të vazhdojmë të jetojmë me potencialin tonë”, – tha Nye.
Ai vë bast për po– dhe beson se në tërësi kjo është diçka e mirë për botën. Një SHBA e fortë ka ndihmuar që tensionet të jenë në fre në Azinë Lindore dhe ka punuar për ta integruar Kinën që po rritet në sistemin ekzistues ndërkombëtar. Në korrik, një sondë e NASA-s do të vizitojë Plutonin për herë të parë dhe zbulimi ynë i sistemit diellor, i udhëhequr nga fillimi e deri në fund nga SHBA, do të jetë i plotë.
Amerika është larg përsosmërisë: pushtimi i Irakut dhe moskokëçarja për ndryshimet klimaterike janë dy gabimet më të mëdha. Por është e vështirë të imagjinosh se bota do të ishte një vend më i mirë nëse gjërat do t’i drejtonin Rusia e Vladimir Putinit apo Kina e Xi Jinpingut. “Unë besoj se ky është një vend i veçantë”, – tha Nye. Henry Luce nuk do të mund ta kishte thënë më mirë se kaq./ TIME
















