Kreu i LZHK-së jep detaje të debatit në grupin kuvendor të PD-së lidhur me vendimin për bojkotin kuvendor
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, është kundër idesë së hedhur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, për referendum për Reformën Teritoriale. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Shehi tha se opozita nuk mund të hyjë në teste elektorale përpara zgjedhjeve lokale. “Ne kemi eksperiencë të keqe me çështjen e referendumeve. Nuk më duket oportune. Para zgjedhjeve lokale, një nismë e tillë vë në provë vet zgjedhësit tanë. Jam kundër referendumeve. Në këtë mënyrë i japim Partisë Socialiste dhe kësaj mazhorance tepër të ekzagjeruar deri më sot një fitore në tavolinë. Kjo, pasi referendumi që mund të bëhet për 1 apo 2 muaj përbën një provë gjenerale për zgjedhjet lokale. Gjykoj që nuk është një armë për opozitën. Populli shqiptar apo votuesi shqiptar e interpreton politikisht çfarëdolloj votimi, ky është realiteti” shprehet Shehi. Deputeti Shehi, pjesë e grupit kuvendor të PD-së, jep detaje rreth debatiti në mbledhjen e grupit parlamnetar, ku dhe u vendos të vazhdohej bojkoti ndaj punimeve të Kuvendit. Shehi ishte një prej deputetëve mjaft aktiv në këtë debat me kryetarin Basha, kundër bojkotit ndaj Kuvendit. “ Sa për bojkotin, jam kundër që ai të ndodhë për një kohë të gjatë, pasi kohëzgjatja e dëmton vetë opozitën. Është e vërtetë që kemi situatë jo normale, që vetë mazhoranca i ka krijuar opozitës dhe asgjë s’ka ndryshuar që para tre muajve, kur është marrë vendimi për bojkot. Gjykoj se kundërshtarit i duhet vënë një barrierë përpara dhe vendi më i mirë është Kuvendi. Ndaj bojkoti duhet përdorur me kujdes dhe në kushte të caktuara. Bojkoti i krijuar rëndom na e heq të drejtën për të bërë politikë brenda Kuvendit”, tha Shehi. Për kreun e LZHK-së lajmi pozitiv ishte se si radhë herë, në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së pati debat të hapur. “ Mbledhja e fundit ka qenë një situatë shumë normale dhe besoj se ka qenë dita më e mirë e grupit të PD-së, pasi kishte debat, mendim ndryshe, diskutime rreth bojkotit. Të shumtë ishin ata që e kundërshtuan për faktin se gjykohet se vendi më i favorshëm për të bërë opozitë dhe për t’u përballur me mazhorancën qeverisëse është pikërisht Parlamenti. Ishte një debat i brendshëm, që i bën mirë vetë PD-së dhe nuk ka pasur asgjë jashtë logjikës, ndaj e konsideroj ditën më të mirë të grupit të PD-së. Por vendimi përfundimtar ishte për vijimësinë e bojkotit dhe zhvillimin e strategjive të reja jashtë sallës së Kuvendit. Ndaj kishte zëra kundër brenda grupit, por e rëndësishme është që ka zëra kundër dhe debatohet në PD”, tha Shehi.
















