Tri partitë e koalicionit pasgjedhor, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, të përkrahura nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk reshtin së vepruari mënnyrë për t’a pamundësuar PDK-së të krijojë Qeverinë “Thaçi 3”. Liderë të këtyre partive po zotohen se nuk do të pranojnë asnjë ofertë nga Thaçi për krijimin e institucioneve të reja.
Por, partia e Albin Kurtit synon edhe organizimin e protestave për, siç thuhet, “dëbimin e Thaçit nga pushteti”.
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se me asnjë çmim nuk do të pranojnë asnjë ofertë të PDK-së për të bashkëqeverisur. Zgjim Hyseni nga kjo lëvizje thotë se Lëvizja Vetëvendosje është duke punuar shumë për ta larguar Thaçin dhe PDK-në nga pushteti.
Ai ka thënë se për ta arritur këtë është duke u shqyrtuar edhe mundësia e organizimit të protestave.
“Jemi duke shqyrtuar mundësitë edhe të protestës qytetare në këtë drejtim, meqenëse tanimë edhe u vërtetua kapja e shumicës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ditë më parë Hyseni për gazetën “Tribuna”.
Kjo ide e drejtueseve të Lëvizjes Vetëvendosje pritet të gjejë mbështetje edhe te koalicioni pasgjedhor LDK-AAK-Nisma, shkruan gazeta.
















