Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu bisedoi me Genti Gazhelin, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave
Qeveria e Shteteve të Bashkuara u ofron ndihmë autoriteteve të Shqipërisë në plotësimin dhe forcimin e ligjeve kundër terrorizmit nëpërmjet pastrimit të parave.
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu theksoi mbështetjen e vazhdueshme të selisë diplomatike në Tiranë në kuadrin e “OPDAT”-it dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar në fushën e masave kundër financimit të terrorizmit.
Zoti Arvizu e pati këtë çështje temë në bisedën e së enjtes me Genti Gazhelin, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP).
Ambasadori Arvizu dhe drejtori Gazheli u përqendruan gjithashtu në diskutimin mbi bashkëpunimin e deritanishëm (të DPPP-së) me Njësinë e Inteligjencës Financiare të Shteteve të Bashkuara (FINCEN).
Sipas ATSH-së, ata folën mbi bashkëpunimin ndërinstitucional në kontekstin e funksionimit të Njësive të Përbashkëta Hetimore pranë prokurorive të rretheve gjyqësore në disa rajone të Shqipërisë.
Po ashtu bashkëbiseduesit Arvizu dhe Gazheli theksuan rolin në rritje të njësisë në shkëmbimin efektiv të informacionit përfshirë çështjet që kanë të bëjnë me financimin e terrorizmit në nivel ndërkombëtar.
Zoti Gazheli, sipas të njejti burim lajmi, prezantoi në mënyrë të përmbledhur punën e bërë që prej krijimit të drejtorisë dhe funksionet si Njësi e Inteligjencës Financiare administrative.
Këtu përfshihet mbledhja, analizimi dhe shpërndarja e informacionit për pastrimin e produkteve të veprës penale dhe financimit të terrorizmit në agjencitë kompetente në vend.
Njejtë edhe për bllokimin dhe sekuestrimin e fondeve të dyshuara si të prejardhura nga akte kriminale.
Me rëndësi përmabn kjo punë dhe nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar më njësitë partnere, aktivitetin në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF) dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore në drejtim të përputhshmërisë së subjekteve raportuese.
“Gjatë këtij takimi të dy palët e vunë theksin në nevojën e rritjes së kapaciteteve njerëzore të DPPPP dhe rolin që Ambasada e SHBA mund të luajë në këtë kontekst me qëllim intensifikimin e mëtejshëm të aftësisë së saj parandaluese dhe mbështetjes që ajo ofron për Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit”-raportoi ATSH.














