Analizën për vizitën e kryeministrit Rama në Beograd duhet zhdrivilluar edhe pak në dritën e një objektititeti e paanshmërie dhe me një shikim më të thelluar për pozicionimin e anës shqiptare në kontekstin e perspektivës së raporteve të ardhme shqiptaro-serbe.
“Vizitë e paqortueshme”, si e cilësoi Astrit Patozi, si dhe një analizë fort e drejtpeshuar dhe depërtuese e Artur Zhejit në aspektet gjeopolitike të zhvillimit të saj, mund të merret si një etalon pa hile dhe realisht përgjithësues,si një emnesë e gjithë analizave,komenteve dhe opinioneve të bëra dhe të shprehura rreth saj nga një shumësi pozicionesh dhe këndesh vrojtuese e interpretuese. Ky mes më duket objektivisht shumë i pranueshëm për t’u pozitivizuar si i dobishëm për zhvillimin e mëtejmë e me dinjitet të raporteve shtetërore Shqipëri-Serbi,Shqipëri-Serbi-Kosovë. Ca zëra që me të buçitur të tepruar sjelljen, qëndrimin e kryeministrit Rama deshën t’ia imponojnë opinionit thjesht si “bëmë kreshnikie folklorike” dhe ca të tjerë, për t’iu kundërvënë kësaj,buçitnin “skandalin”, ”dështimin”, e tij, etj, e morën qortimin ose shpërfilljen reale.
Qëndrimi i kryeministrit Rama, shikuar paanshmërisht, për anën shqiptare nis historinë “e faqes së bardhë shqiptare” në raportet shtetërore shqiptaro-serbe. Këtu qëndron rëndësia ose “kreshnikia” historike e gjestit të tij për ne shqiptarët. Dhe, pikërisht ishte kjo “kreshniki” dinjiteti shqiptar që i erdhi si e papritur dhe që “çatrafiloi” anën serbe. Kjo e ka shpjegimin qartësisht: ana serbe u zhgënjye gand dhe papritur nga pritshmëria e tyre e hamendësuar thellësisht gabueshëm nga kjo vizitë, duke u mbështetur në të kaluarën e shëmtuar të këtyre raporteve. Se kjo anë, pra, ana serbe, si e ka hedhur larg e larg në opinion jo rrallë herë,si ka rrejtë vedin dhe serbët,se raportet shqiptaro-serbe me “socialistin” Rama ka pritur , edhe pse jo aq sigurt,të nisin aty ku mbeti kuislingu i tyre Enveri; me “të djathtët shqiptarë”,ka pritur të nisin me ndonjë Esad Pashë ose Zogoll të ri,pra,të kësaj kohe,me të cilët ka një “traditë” të shëmtuar për ne shqiptarët Partia Radikale e Pashiqit që e drejton tash presidenti i Serbise,një përfaqësues i së cilës këto ditë i bëri homazhe për “mirënjohje historike”Esad Pashë Toptanit mbi varrin e tij diku në Paris.
Duke e shikuar tash në këtë kontekst “pritshmërinë” e tyre të gabuar,del më e madhe “kreshnikia” e kryeministrit Rama fillimisht në takimin e tij “kokë më kokë” me kryeministrin Vuçiq. Se, aty është pritur të “thehet” kryeministri shqiptar. Por, ky takim, e pranoi kryeministri Vuçiq se “ka qenë i vështirë”; e pranoi dhe kryeministri Rama se ka qenë “i vështirë, por i shëndetshëm”, që vjen me thënë se mund t’u ketë thënë troç “harroje mushke, Velarenë”, nëse kanë bërë përpjekje ta venë në “pritshmërinë “ e tyre!Sikur kryeministri Rama të mos e përmendte Kosovën,pathyeshmëria e tij në takimin “kokë më kokë” me Vuçiqin, do quhej e pabërë dhe do të hapte shtegun e spekulimeve dashakeqe si për dobi të kryeministrit Vuçiq, si për manipulime poashtu dashakeqe, mezi të pritura, nga ca në Shqipëri.
Për analistë të vëmendshëm të këtyre zhvillimeve më të reja,që janë në Bryksel apo kanë komunikime me kolegë të tyre brenda apo afër diplomacisë europiane aty, të cilët kanë patur informacione prej kuluareve të kësaj diplomacie, pikërisht përballja “kokë më kokë” Rama-Vuçiq i ka dhënë goditje hutuese dhe të tulatur palës serbe. Pse? Për arsye se,diplomacia serbe gjithnjë u ka bërë trysni ca qarqeve diplomatike në Bryksel që nisjen e vendosjes së raporteve shqiptaro-serbe, ta bëjë ajo fillimisht “kokë më kokë” dhe pa ndërhyrje të të tjerëve me Shqipërinë dhe me Kosovën, duke qitur si “argument besimin e Serbisë” se ajo “ ka indikacione” se mund t,ia mbushë mendjen Shqipërisë “ që të rrijë gjakftohtë ndaj përpjekjeve të Serbisë për mosnjohjen e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, dhe se me bisedimet “kokë më kokë” me Kosovën pretendon ta “bindë Brykselin” dhe Uashingtonin se pavarësia e Kosovës ndodhi si ndërhyrje e NATOS dhe e Uashingtonit,si e thotë paturpësisht dhe vahdimisht,e nuk ka qenë vullnet i vendosur dhe i paprekshëm i popullit shqiptar të Kosovës…!!!
Analistët që kanë ndjekur këtë lojë tinëzare ,të përshpëritura nëpër kuluarët diplomatike në Bryksel,e dinë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që në të vërtetë u degraduan në bisedime Thaçi-Serbia, u “miratuan” nga Brykseli si një “privilegj” dhënë Serbisë për t’i dhënë ajo “provat” mbi “pretendimin” e saj këmbëngulës dhe absurd të përmendur më sipër; por , Uashgintoni që linte përshtypjen e të ndenjurit fare anësh në stilin e njohur diplomatik amerikan,i mbajti nën vrojtim shumë dinamik këto bisedime gjersa i shpërudhi nga hullia në të cilën serbët pretenduan t,i venë këto bisedime.Edhe në këtë rrafsh,serbët kanë marrë një goditje të qetë diplomatike, por, mjerisht, jo nga Thaçi, ndaj edhe marrëveshjeve që “arrihen në to” u qesin vështirësi dhe dallavere tinëzare gjatë “zbatimit” ose moszbatimit. Ajo që u tha para ca ditësh Adem Demaçi preshevarëve që t’i marrin punët tuaja në duart e veta,se në këtë hall ku kemi rënë, kur ka ndodhur një poshtërim i rëndë ndaj idealit të pavarësisë së arritur,po të mos na pengonte Amerika, sot Kosova mund të gdhijë prap nën Serbi,kujtoj që do të dredhet dhe zhdredhet prape nëpër kuluaret diplomatike në Bryksel në “favor” të asaj që u ka thënë dhe u thotë Serbia nëpër kuluare apo “kokë më kokë” qarqeve diplomatike.
















