Nga Gordana Andric
Zyrtarët maqedonas duhet të ofrojnë ende informacion të plotë për atë që ndodhi në qytetin verior të Kumanovës dhe se çfarë gjendet pas përplasjeve mes policisë dhe një grupi të armatosur më të panjohur. Megjithatë, zyrtarët serbë të sigurisë, ekspertët dhe media kanë dhënë disa skenarë të mundshëm. Shumica i qëndrojnë idesë se përplasjet shënuan fillimin e një lufte të udhëhequr nga shqiptarët e Kosovës për një Shqipëri të Madhe, ndërsa disa pretendojnë se Amerika fshihej pas ngjarjeve në Kumanovë.
Analistët i kanë thënë BIRN se pas interpretimeve të tilla të ngjarjeve maqedonase fshihen përpjekjet e qeverisë serbe për të mbështetur qeverinë partnere në Maqedoni – tani nën sulm nga protestat dhe kërkesat për dorëheqje. Për më tepër, disa akuzojnë zyrtarë serbë se kanë keqpërdorur emocionet dhe paragjykimet serbe në përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës për të promovuar axhendën e tyre dhe për të marrë mbështetje nga votuesit nacionalistë, në një kohë kur ata rrezikojnë të humbin popullaritetin mbi çështjen e dialogut me Kosovën të drejtuar nga BE.
Ngjarjet në Maqedoni nxitën zyrtarët serbë të sigurisë, ekspertët dhe median të fillojë paralajmërimin e publikut për rrezikun e krijimit të Shqipërisë së Madhe, një koncept i mbrojtur nga disa shqiptarë dhe i cili kërkon bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet që do të përfshinte Shqipërinë, Kosovën si dhe pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë. E përditshmja serbe Blic publikoi një faqe të parë më 19 maj me vetëm një titull të madh ku shkruhej “Shqipëria e Madhe troket në derë”. Më 12 maj, e njëjta e përditshme e mbuloi faqen e parë me ngjarje në Maqedoni, duke pretenduar se ato ishin orkestruar nga Daut Haradinaj, një deputet në parlamentin e Kosovës dhe duke thënë se ai planifikonte të sulmonte pjesët e populluara nga serbët në qytetin verior të Kosovës, Mitrovicë.
Blic nuk ishte e vetmja media që shpërndau frikën e Shqipërisë së Madhe dhe konfliktet me shqiptarët e Kosovës. Tabloidi Kurir më 10 maj publikoi një artikull ku thoshte se një Ushtri e rigjallëruar Çlirimtare e Kosovës po planifikonte një ‘luftë totale’. Pretendimet rreth një lufte të re të mundshme në Ballkan u publikuan edhe në të përditshmen proqeveritare Informer më 14 maj. E përditshmja citoi një raport të pretenduar si i CIA-s që paralajmëronte një luftë të mundshme në Ballkan mes shqiptarëve dhe ortodoksëve serbë, maqedonasve, grekëve dhe bullgarëve. Lajmi i sulmeve të reja të pashmangshme të pretenduara, këtë herë në Serbi, nxiti media të tjera të përfshihen. E përditshmja Vecernje Novosti publikoi më 14 maj se 50 veteranë të UÇK planifikonin të sulmonin policinë dhe ushtrinë në jug dhe qendër të Serbisë.
Të tillë tituj shtynë gazetarin veteran të televizionit në Maqedoni, Borjan Jovanovski t’i bëjë thirrje në Twitter kolegëve të tij serbë të mos përhapin panik. “Çfarë më shqetësoi më shumë ishte fakti se u përpoqa personalisht të kontaktojë disa media në Serbi për të ndarë informacionin se Maqedonia nuk ishte në sulm dhe se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve ishin më të mira se kurrë,” tha ai. “Nuk kam parë asnjë prej tyre të publikojnë deklaratat e tyre, që më bëri të mendoj se nuk ishte vetëm amatorizëm por një tendencë me një prapaskenë politike”, shtoi Jovanovski.
Idro Seferi, korrespondent në Beograd për një numër mediesh kosovare dhe shqiptare, thotë se media serbe i ka mbuluar ngjarjet në Maqedoni sipërfaqësisht dhe me disa paragjykime. “Ato nuk ndjekin asgjë veç paragjykimit. Fakti se disa mendojnë se nuk mund të shkojnë të raportojnë nga Kosova nuk do të thotë se është realitet,” tha Seferi, duke shtuar se mediat serbe drejtohen nga një paragjykim se të gjithë shqiptarët janë terroristë dhe se mbështesin dhunën. “Shqiptarët janë demonizuar në median serbe për më shumë se dy dekada. Kjo krijon një problem kur duhet të ndryshosh diçka, sepse atëherë liderët serbë gjithashtu nuk mund të reagojnë ndryshe për shkak se turma nuk e pret këtë,” tha ai. “Ata kanë një axhendë anti-shqiptare me të cilën ata po përhapin frikë dhe po fshehin gjëra më pozitive”, shtoi Seferi.
Mediat nuk ishin vetëm në përhapjen e frikës rreth Shqipërisë së Madhe dhe konflikteve të dhunshme me shqiptarët. Petar Cvetkoviç, kreu i Agjencisë së Sigurimit Ushtarak të Serbisë, më 11 maj pretendoi se një grup i madh ‘terrorist’ shqiptarësh etnikë ishte aktiv në Maqedoni me një mision për të formuar një “Shqipëri të Madhe” dhe se Perëndimi e mbështeste këtë synim. Momir Stojanoviç, kryetar i Komitetit për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë në parlamentin serb, tha për Vecernje Novosti më 14 maj se projekti i Shqipërisë së Madhe ishte rreziku më i madh i sigurisë me të cilin përballet Serbia. Ai mohoi përjashtimin e idesë se ‘vala e terrorizmit’ nisur në Maqedoni mund të shkonte edhe në Serbi. Stojanoviç, gjithashtu një anëtar i Partisë Progresive në qeveri, deklaroi se grupet gati për luftë kishin mbështetjen e SHBA. Sipas tij, shtetet perëndimore duan të distancojnë Maqedoninë nga Rusia dhe të ndalojnë ndërtimin e mundshëm të një gazsjellësi, me anë të të cilit gazi rus do të hyjë në Europë përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë…
Eric Gordy, një ekspert Ballkani në Universitetin Kolegj të Londrës, paralajmëron se një narrativë e tillë mund të kthehet lehtësisht mbrapsht. “Do të ishte gabim të supozohej se audiencat e medias janë injorante. Ata mund të kapin idenë, ata e dinë se ku janë çuar më parë dhe ku po i çon kjo gjë,” tha ai duke iu referuar nacionalizmit që tërboi Ballkanin gjatë viteve nëntëdhjetë. “Fushata si kjo mund të kenë pasoja dhe të diskreditojnë njerëzit që i orkestrojnë ato. Publiku maqedonas ka treguar tashmë se pak besim ka te politikanët e vet drejtues dhe te media; nuk ka arsye pse publiku serb nuk do të mund të bëjë të njëjtën gjë”, përfundoi Gordy. *Marrë me shkurtime./ BIRN















