Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan në mënyrë informale gjatë mbrëmjes mbi situatën e përkeqësuar në Maqedoni.
Mësohet se ata u informuan shkurtimisht nga Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini, dhe Komisioneri Hahn, por nuk pati konkluzione, për të cilat, ministrat evropianë vendosin në qershor, përpara samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE.
Ministrja kroate, Pusiç u shpreh ashpër për mediat vendase se “BE është shumë e shqetësuar për situatën në Maqedoni dhe se aktualisht mendohet të jetë pika më e ndjeshme në rajon, mes vendeve jo anëtare të Bashkimit Evropian, por që në fakt janë në mesin e shteteve anëtare”.
Ndërsa burime pranë Komisionit Evropian tregojnë se “Kryeministrit Gruevski i është kërkuar dorëheqja, por Shkupi nuk e merr në konsideratë këtë kërkese”.
Ministri i Jashtëm sllovak, Lajçak tha se “deri tani nuk ka një kërkesë të drejtpërdrejtë publike për dorëheqjen e Kryeministrit Gruevski. Vendi ka thyer normat evropiane dhe kjo situatë ishte sinjalizuar nga bojkoti i opozitës e publikimi i përgjimeve”.
“Tashmë është koha për BE-në që të ndërhyjë në Maqedoni, të jetë e dukshme atje dhe të tregojë lidership”, u shpreh Miroslav Lajçak për mediat sllovake, duke konfirmuar se Komisioni nuk do të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Ndërkohë që në nisje të takimit të përbashkët me Këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, deklaroi se “Aleanca po e ndjek nga afër situatën, përmes zyrës në Shkup”.
















