Daut Dauti
Serbia dhe Greqia janë dy shtetet më anti-evropiane dhe më anti-amerikane që ekzistojnë sot në Evropë. Serbia është shteti i vetëm që deri vonë ka udhëhequr politikë zyrtare anti-amerikane dhe anti-evropiane. Serbia është shteti i vetëm në kryeqytetin e së cilës janë sulmuar (djegur) ambasadat evropiane dhe amerikane. Madje ky është shteti i vetëm që me gjykatat e saja i ka dënuar si kriminel lufte udhëheqësit e shteteve evropiane dhe amerikane. Arsyeja e të qenurit të Serbisë kundër Evropës dhe Amerikës qëndron në faktin se Beogradi këto shtete i konsideron se ushtrojnë politikë anti-serbe.
Një numër i madh i qytetarëve dhe organizatave greke, përfshirë disa segmente shtetërore, poashtu edhe sot konsiderojnë se shumë vende evropiane dhe Amerika ushtrojnë politikë kundër interesave greke. Greqia është vendi i vetëm në të cilin janë vrarë diplomatët e lartë evropianë dhe amerikanë. Në vitin 1975 organizata komuniste dhe terroriste ‘17 Nëntori’ ka vrarë Richard Welch-in, shefin e CIA në Athinë.
Jo më larg se në vitin 2000 në Athinë, po nga kjo organizatë terroriste, është vrarë Stephen Saunders, atasheu ushtarak britanik. ‘Arsyeja’ e vrasjes së Saunders-it ishte angazhimi britanik në luftë kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. Pas vrasjes së atasheut ushtarak britanik një funksionar i CIA në Athinë, John Kiriakou, ka deklaruar se në shenjestër për vrasje ka qenë edhe ai por ka shpëtuar për shkak se ishte më i mbrojtur se Saunders. Në vitin 2005 është sulmuar shtëpia e atasheut ushtarak britanik në Athinë dhe është vrarë roja e shtëpisë.
Greqia është shteti i vetëm ku edhe zyrtarët e saj e konsiderojnë Angela Merkel-in si fashiste. Në shumë raste janë kërkuar masa të dhunshme kundër Merkelit pa marrë parasyshë që shteti i tyre (Greqia) qëndron në këmbë me ndihmën e parave gjermane.
Natyrisht, kjo dhunë e shprehur kundër Evropës dhe Amerikës, nuk është qëndrim zyrtar i Serbisë dhe Greqisë, por nuk ka dyshim se një pjesë e madhe e këtyre dy shoqërive, organizatave, intelektualëve dhe e mediave të tyre e kanë përkrahur shpesh këtë dhunë kurse qëndrimi anti amerikan dhe anti evropian është përkrahur vazhdimisht dhe pa rezerva.
Megjithatë, marrëdhëniet zyrtare të Greqisë dhe Serbisë me shtetet në fjalë janë shumë të mira. Nga këto marrëdhënie Greqia dhe Serbia përfitojnë shumë më tepër se Shqipëria dhe Kosova. Kjo është kështu për shkak se Greqia dhe Serbia insistojnë në mbrojtjen e interesave të tyre (kombëtare ose shtetërore) dhe si të tilla janë faktorë dhe partnere të rëndësishme ndërkombëtare.
Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, për shkak të mungesës së politikave të mirëfillta të brendshme dhe të jashtme dhe natyrisht për shkak se janë të korruptuara dhe si të tilla kryekput jokompetente, ende nuk ia kanë dale që të paraqesin interesa serioze shtetërore ose kombëtare dhe të faktorizohen si ato të Serbisë dhe Greqisë karshi Amerikës dhe Evropës. Për këtë arsye Tiranës, sidomos Prishtinës, nuk ju ka mbetur tjetër gjë pos të zbatojnë një politikë nështruese me anë të së cilës, në realitet dëshmojnë se janë problem i Amerikës dhe i Evropës e jo partner siç e kërkon rendi i politikës ndërkombëtare.
Një pjesë e madhe e ‘mediave’ dhe ‘intelektualëve’ duke e përkrahur këtë marrëdhënie ekzsistuese vazhdojnë të përhapin frikë se mos po prishemi me amerikanët dhe Evropën dhe nuk propozojnë a as nuk përkrahin partneritet ose miqësi në bazë të interesave. Prandaj, këtyre ‘mediave’, ‘intelektualëve’ dhe ‘analistëve’ (gati harrova me i përmendë këta të fundit) krijimi i ushtrisë nuk është faktorizim i Kosovës, siç duhet të jetë, por është frikë e prishjes së marrëdhënieve me Perëndimin.
Ky është rezultat i dy mentaliteteve që prodhojnë dy kultura politike të kundërta. Përparësi ka ajo politikë që paraqet interesa në bazë të së cilave krijon partneritet.






















