I ashtuquajturi organ i përkohshëm i komunës së Veriut të Mitrovicës, ka marrë vendim për mbajtjen e tri ditë zie në këtë komunë, për katër të rinjtë serbë që u mbytën në Liqenin e Gazivodës, natën mes të dislës dhe të hënës.
Ky organ, përmes një komunikate për media, ka shprehur keqardhje të thellë për humbjen e katër jetëve, dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Kjo është një humbje e madhe dhe e pakompensueshme për të gjithë, para se gjithash për familjet e tyre, por edhe për tërë qytetin. Mitrovica ka humbur katër të rinj, njerëz të suksesshëm dhe kjo do të lë gjurmë në zemrat e të gjithë neve”, thuhet mes tjerash në komunikatë, të nënshkruar nga kryetari i organit të përkohshëm të komunës së Veriut të Mitrovicës, Aleksandar Spiriq.
Sipas Kushtetutës se Kosovës, i vetmi organ që ka të drejtë të shpallë ditë zie është Presidentja. Organet tjera, si Kuvendi, qeveria, komunat dhe qytetarët e grupuar në organizata të ndryshme, kanë të drejtë të kërkojnë shpalljen e ditës se zisë, por jo edhe shpalljen e saj.
B.S.















