Liderët politike të serbëve të Kosovës konfirojnë se vendosja e barrikadës së re në urën e Ibrit, në Mitrovicë, është bërë në marrëveshje me Beogradin zyrtar, sikurse edhe veprimet tjera të serbëve të Kosovës.
Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar edhe një herë se barrikada e re, e quajtur “Parku i paqes”, është vendosur në koordinim me autoritetet e Beogradit.
Por, sipas tij, arsye për rivendosjen e barrikadës është mosbesimi i serbëve të veriut ndaj Prishtinës zyrtare.
“Gjithsesi që veprimet, të cilat i bën pala serbe në Kosovë, janë të koordinuara me Beogradin. Ky është një akt, i cili ka rrjedhur nga një gjendje e frikës dhe mosbesimit që vjen ndaj Prishtinës. Në atë moment që ajo frikë dhe mosbesim të zhduken, po ashtu do të zhduket edhe nevoja për ekzistencën e një ‘parku’ të tillë apo çfarëdo barrikade tjetër në veri të Kosovës”, ka thënë Jabllanoviq.
Rangjel Nojkiq, njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, vlerëson se të gjitha tensionet e krijuara me heqjen dhe rivendosjen e barrikadës në urën qendrore mbi lumin ibër do të shmangeshin, në rast se do të ekzistonte një komunikimi më korrekt ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Nojkiq e ka vlerësuar veprim të gabuar vendosjen e barrikadës dhe ka theksuar se vendosja e saj, sido që të ketë bdodhur, e ka vënë Beogradin në pozitë të vështirë.
“Nëse kjo është bërë me miratimin e Beogradit, atëherë unë mendoj se kjo nuk është në drejtim të zgjidhjes së problemit. Por, edhe në qoftë se serbët e veriut e kanë bërë këtë pa miratimin e Beogradit, atëherë e kanë vënë Beogradin në pozitë shumë të pakëndshme, për të cilët tash duhet të gjejë zgjidhje dhe të mos përplaset me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Por, Beogradi tash praktikisht nuk mund të gjejë zgjidhje”, ka theksuar Nojkiq.
Por, Jabllanoviq ka shprehur bindjen se “Parku i Paqes” dhe të gjitha barrikadat tjera do të hiqen nga vetë serbët, pasi “të krijohen kushte për një gjë të tillë”.
“Në atë moment që populli serb në pjesën veriore të Mitrovicës do ta ketë ndjenjën se është i lirë dhe se nuk rrezikohet nga askush, ne vetë do të heqim çdo barrikadë, përfshirë edhe ‘Parkun e paqes’”, është shprehur Jabllanoviq.
Por, ai ka theksuar se heqja e dhunshme e “Parkut të paqes” apo barrikadave tjera do të përbënte “shkelje të rëndë të vullnetit dhe të drejtës së popullit serb”.
Ndërkaq, Nojkiq nka thënë se problemin e barrikadave në veri të Kosovës duhet ta zgjidhë Prishtina zyrtare.
Sipas tij, në Beograd ka vullnet ta zgjidhë këtë çështje, por po has në probleme edhe me përfaqësues të serbëve në veri, për shkak se uniteti i tyre është shumë i brishtë.
“Mendoj se Beogradi dëshiron ta zgjidhë atë problem dhe kjo nuk mohohet. Por, problemi është se Beogradi nuk po di si t’i tejkalojë ndryshimet ndërmjet opsioneve të ndryshme të serbëve në very”, ka thënë Nojkiq.
Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se Prishtina dhe Beogradi domosdo duhet të komunikojnë bashkë në mënyrë që të shmangen situatat që prodhojnë konflikt, sikurse ajo që prodhpo rivendosja e barrikadës mbi urën qendrore mbi lumin Ibër, të dielën e kaluar. (r.m.)
















