Nga Aulona Musta
Bleona, Bleona, Bleona… gjithmonë ajo, Bleona. Çdo javë ajo, Bleona. Jo vetëm kryefjala e mediave në Shqipëri, por tashmë edhe kudo nëpër bote. E di që me shumë gjasa tani jeni duke thënë me vete: “Oh jo, prapë me Bleonën këta?!”
Madje me siguri do ta kaloni këtë artikull pa e lexuar fare, por më vjen keq, nuk mund të rrija pa e thënë edhe unë diçka në lidhje me fenomenin “Bleona”, me vajzën që së fundmi m’i ka pështjelluar ndjenjat dhe më ka bërë konfuze, pasi nuk e di më nëse “e dua apo e urrej”…
Bleona u zhvesh dhe për këtë foli e gjithë bota. Folëm ne në Shqipëri, që me zhveshjet e Bleonës duhej të ishim mësuar. Foli edhe “bota”, që me zhveshjet e personazheve të famshëm duhej të jetë mësuar me kohë. Por ja që, sado të na kenë parë sytë e të jemi mësuar me zhveshje, ekzagjerime dhe ekstravagancë, duket se gjithmonë do të ketë vend për çudi e habi për zhveshjen e radhës. Dhe në fakt nuk u mor vesh se çfarë bëri më shumë përshtypje nga zhveshja (e radhës) e Bleonës: fakti që ishte thuajse lakuriq në një tapet të kuq (jo thjesht për një shërbim fotografik, ku jemi mësuar ta shohim shpesh nudo), fakti që linjat e saj nuk janë aq perfekte sa për të dalë aq e zhveshur, pa përdorur pak fotoshop më parë, fakti që na “turpëroi” ne shqiptarëve duke dalë ashtu, cullak (siç do të thoshin kosovarët), apo fakti që ajo ka vendosur të hyjë me dhunë në ditët tona, duke prodhuar vazhdimisht lajme totalisht të parëndësishme për ne shqiptarët, por që, në të njëjtën kohë, nuk mund t’i qëndrojmë dot indiferentë dhe vazhdojmë të shpenzojmë energji, mendime dhe sharje, pikërisht për atë që aq shumë e “urrejmë”, Bleona Qerretin!
Nuk mund ta mohoj që kur pashë fotot e saj të qarkullonin në internet nuk qëndrova indiferente. Nuk u mjaftova vetëm me fotot që nisën të qarkullonin në Facebook, por u futa dhe kërkova për artikuj të ndryshëm të mediave të huaja, pasi isha kurioze të dija se çfarë kishin shkruar, nëse kishin shkruar, për të. Dhe u habita kur pashë se sa shumë kishin shkruar, pavarësisht se në përgjithësi, gjërat që kishin shkruar nuk ishin aspak pozitive. Por ç’rëndësi ka, në fund të fundit? Jetojmë në kohën që rëndësi ka të flitet e të shkruhet, pak rëndësi ka për mirë apo për keq! Dhe është e qartë që filozofia e Bleonës kjo është. Kjo ka qenë që ditën e parë që ka dalë në skenë. Bleona do të flasim për të, sepse duke folur për të do t’i shtohet fama dhe duke iu shtuar fama, mundësitë për të bërë karrierën aq shumë të dëshiruar në Hollivud do të jenë më të mëdha. Sot rëndësi ka të jesh personazh showbizz-i, pak rëndësi ka se çfarë talenti ke. E rëndësishme është të flitet për ty, të zësh faqet e para të gazetave, edhe duke u sharë e duke u kritikuar, sepse në këtë mënyrë je në qendër të vëmendjes së publikut, historia jote, zhveshja jote, vulgariteti yt janë ato që publiku do dhe konsumon, pavarësisht se ankohet vazhdimisht që është i lodhur me femra që nuk kanë asnjë talent dhe e vetmja gjë që dinë të bëjnë është të zhvishen për pak famë. Por talent nuk do të thotë vetëm të dish të këndosh, të kërcesh apo të aktrosh, që Bleona nuk di t’i bëjë dhe besoj se ajo është më e ndërgjegjshme se të gjithë ne për këtë fakt. Talent është edhe të dish të shesësh imazhin tënd, të arrish të prodhosh vazhdimisht lajme për veten dhe të kesh, në këtë mënyrë, vëmendjen e të gjithëve, edhe të atyre mediave të mëdha që, duke të të pasur në faqet e para, edhe pse të kanë “telendisur”, të kanë bërë një favor të madh, të kanë kthyer në personazhin e momentit. Dhe e dini si përkthehet të jesh personazhi i momentit dhe të kesh vëmendjen e gjithë botës mbi vete? Më shumë producentë që kthejnë sytë nga ty dhe që të shohin si makineri fitimi parash, me anë të së cilës mund të tërheqin sa më shumë sponsorë dhe të bëjnë sa më shumë lekë. Dhe ç’rëndësi ka nëse ke talent apo jo, nëse di të këndosh, aktrosh apo kërcesh, për sa kohë mund të fitosh para dhe të jesh personazh, edhe duke mos bërë asgjë, por thjesht duke u zhveshur? Një prapanicë nxjerr Kim Kardashian dhe fiton miliona dollarë. A ka talent më të madh sesa ky, të fitosh para pa bërë asgjë? Sepse ajo e di shumë mirë që prapanica e saj do të tërheqë vëmendjen dhe do të komentohet shumë, më shumë sesa zëri fantastik i Adele p.sh., që njerëzit do ta shijojnë duke dëgjuar këngën e saj, por nuk do të rrinë të merren për ditë e javë të tëra duke e komentuar nëpër rrjetet sociale.
Besoj kjo është edhe filozofia e Bleonës. Dhe në këtë pikë, sado që nuk më pëlqen Bleona si këngëtare, sado që në shumë momente më vjen të tallem me gjërat që ajo thotë dhe bën dhe sado që nuk më pëlqen prapanica e saj, e kuptoj shumë mirë filozofinë e punës, talentit dhe zhveshjes së saj. Dhe absolutisht nuk mund ta gjykoj për këtë! Një gjë është e sigurt, nuk do t’i dëgjoj kurrë këngët e Bleonës dhe nuk do të kem kurrë një poster të saj në dhomën time, ama po pres me padurim të dëgjoj dhe lexoj për “çmendurinë” e saj të radhës.















