Sëmundja e quajtur si “Gjuha blu” është shfaqur edhe në qytetin e Elbasanit, me prekjen e bagëtive të imta.
Fatmir Ozuni shef i shërbimit veterinar tha se “në qarkun e Elbasanit, sëmundja ka prekur Librazhdin dhe Gramshin, ku një numër i madh bagëtish janë infektuar, dhe më pas janë groposur”.
530 krerë bagëti rezultojnë të prekur nga kjo sëmundje, nga të cilat 110 janë regjistruar të groposura, por dyshohet se numri i bagëtive të ngordhura është më i madh .
Ende nuk është gjetur një zgjidhje për këtë sëmundje. Njerëzit nuk preken nga kjo sëmundje, e cila prek vetëm bagëtitë e imta dhe përhapet përmes pickimit të insekteve. Ajo që bëhet e ditur nga specialistët është se nuk duhet të konsumohet mishi dhe qumshti i këtyre krerëve të prekur.
“Gjuha Blu”, ose ethet katarakte, janë identifikuar fillimisht në qarkun e Korçës me vatra në Devoll dhe Ersekë, por kjo sëmundje është vënë re edhe në qarkun e Gjirokastrës, dhe së fundmi në Elbasan.
















