Sheshi kryesor në qendër të Prishtinës karakterizohet me një gjallëri të madhe, në të cilin shumë njerëz dalin dhe shëtisin në kërkim të frymëzimit, apo nga dëshira që t’i shohin gjithë ata njerëz që kalojnë andejpari e që ikin secili në rrugët e punët që u ka rezervuar jeta, duke mos menduar për më tepër.
Hapësirë e shtruar me pllaka të shtrenjta mermeri, e rrethuar me ndërtesa të mëdha milionëshe e lokale të panumërta afariste, të japin bindjen që varfëria ka zhdukur rrënjët që moti nga aty. Por, nga brendësia seç dëgjohet një ritëm që duket se vjen nga ndonjë lokal që servon muzikë alegro, e në fakt, fatkeqësisht del nga një instrument që nxjerr tingujt nga duart e njoma të një 16 vjeçari të komunitetit rom.
Çdokush që kalon përmes këtij sheshi, s’ka sesi të mos e ketë parë Dinon me flokë dredha, tek ekzekuton në instrumentin e tij për të nxjerrë kafshatën e gojës.
Dino ka ardhur nga Fieri në Prishtinë, me shpresën se me punën që bën do të nxjerrë ndonjë qindarkë më shumë se ç’fitonte në vendin e vet. Ai tani jeton në Prishtinë me babanë që punon me ato gjëra që fatkeqësisht njihet ky komunitet i lënë anash, dhe me nënën e sëmurë e të paaftë për punë të cilën duhet ta ushqejë çdo ditë. Ndërsa në Fier i kanë mbetur dy vëllezër, njëri 18 dhe tjetri 21 vjeçar, i cili punon si elektricist.
Dino është vetëm një nga të shumtët të cilët kanë ardhur nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë!
Ai këtu bën “magji” me instrumentin e tij e që për shpërblim merr ndonjë cent, të cilat kur i mbledh, thotë se i dalin për ta kaluar edhe një ditë tjetër.
Të gjithë ata njerëz që i hedhin ndonjë para, në letrën prej kartoni të vendosur përpara vetes, ndoshta në brendësi e “bluajnë” një lutje për ta teksa i ndihmojnë, por askujt nuk i shkon në mendje se ata vetëm po i ndihmojnë të mbijetojnë por jo ta jetojnë jetën!
Ndihma më e madhe për një fëmijë 16 vjeçar është t’i mundësohet shkollimi, e që pastaj të mund ta shijojë ëndrrën e tij prej instrumentisti profesionist. Për çdo fëmijë, kjo është jeta!
Dino ka kryer 7 vjet shkollë në Fier, por e ka braktisur sepse prej që ka filluar të marrë këmbët, është dashur të luftojë për bukën e gojës. Fat ky që i përcjell gati të gjithë fëmijët e këtij komuniteti.
Me të gjitha ato mundime që është dashur t’i kalojë, Dino i vogël, ende e gjen shpresën për jetë dhe çdoherë e nxjerr një buzëqeshje në fytyrën e tij të njomë teksa luan në instrumentin “e jetës”. Buzëqeshje kjo që ndoshta thotë se jetën dua ta jetoj, por jam mësuar edhe me këtë mjerim! Por a ka me rëndë se e keqja të të bëhet normale, e të mësohesh me të?!
Në mungesë të mbështetjes për shkollim dhe për jetë më të mirë, do të vazhdojmë ta shohim Dinon e ulur në pllakat e ftohta prej mermeri, që dallon shumë nga të ekzekutuarit në kolltukët e trashë si profesionist, që është ëndërr e tij që po ia merr fatkeqësia që askush nuk po mendon për këtë kategori.
Gjitha këto gjëra që duhet t’i mbajë mbi supet e tij, edhe pse i ri, e privojnë nga dëshira që të mund të kthehet tek vëllezërit e tij në Fier. Por ai nuk zmbrapset. Ai punon dhe lufton me sfidat, duke shpresuar që do të vijnë ditë më të mira dhe dëshira e tij do të realizohet.
Përderisa nuk do të bëjnë asgjë institucionet që e kanë për detyrë, të vetmen ndihmë që do të mund t’ia japim ne, janë disa para të imëta për t’u ushqyer dhe do ta dëgjojmë ritmin që prek zemrën e njerëzishme… do ta dëgjojmë ritmin e mjerimit!















