Për 7 muaj prej se është duke qëndruar në burg, Sami Lushtaku ka marrë 13.300 euro nga buxheti i shtetit të Kosovës. Kanë kaluar kjo kohë prej se këmba e tij nuk ka shkelur në komunën e Skenderajt, edhe pse me votën e popullit është zgjedhur për të dytën herë kryetar komune. Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i arrestuar prej 1 qershorit të vitit 2013 dhe i mbajtur në paraburgim nën dyshimet për krime lufte, më 3 janar të këtij viti ishte betuar në një ceremoni ndryshe nga kryetarët tjerë të komunave të Kosovës. Në sallën e Kuvendit Komunal, aty ku duhej të zhvillohej ceremonia e betimit, kryetari Lushtaku ishte sjellë i shoqëruar nga policia pas vendimit që kishte marrë Gjykata për t’i mundësuar atij dhënien e betimit. Aso kohe betimi i kryetarit Lushtaku kishte shpëtuar Skenderajn nga zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, transmeton Botapress. Por, nga ajo kohë Komuna e Skenderajt vazhdon të mbetet pa kryetarin e saj aktual.
Ndonëse Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, Neni 56 i cili flet që për zgjedhjen e kryetarit të komunës, përkatësisht pika 56.3 që ka të bëjë me përfundimin e mandatit të kryetarit të komunës, nuk e specifikon qartë se cilat duhet të jenë procedurat e shkarkimit përkatësisht të rizgjedhjes së kryetarit të komunës, në rast se një kryetar komune gjendet në paraburgim siç është rasti me kryetarin aktual të Skenderajt Sami Lushtaku.
Në nenin 56.3 të këtij Ligji thuhet se mandati i kryetarit të komunës përfundon; a) kur ta kryejë mandatin e tij; b) nëse vdes; c) nëse jep dorëheqje; d) nëse ndërron vendbanimin në komunë tjetër; e) nëse nuk paraqitet në punë për më shumë se 1 muaj pa arsye; f) nëse shkarkohet nga detyra në pajtim me këtë ligj; g) në rast të vendimit përfundimtar të gjyqit që e privon kryetarin e komunës nga cilësia juridike; dhe h) në rast të dënimit për vepër penale me një urdhër për burgim për gjashtë (6) muaj ose më tepër.
E derisa Gjykata ende të mos marrë një vendim, dhe derisa kryetari Lushtaku vazhdon të qëndrojë në paraburgim, komuna e Skënderajt do të mbetet pa kryetar.
Zyrtarë të Ministrisë së Administrim të Pushtetit Lokal nuk janë në gjendje të tregojnë se sa muaj mund të mungoj në pune një kryetar komune dhe si e parasheh Ligji mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme kur mungon kryetari i komunës në një periudhë të caktuar kohore.
















