Fatmir BESIMI
Të gjitha konfliktet kanë patur një epilog – dëme dhe humbje, ndërsa për të ecur përpara- herët a vonë pajtimi mbetet i domosdoshëm. Prandaj, drejt pajtimit sa më parë aq më mirë!
Fundjavën që shkoi u shënua 25 vjetori nga shembja e Murit të Berlinit, një histori e egër kjo e ndarjes në mes familjeve, me jetë të shkatërruara, shpresa të djegura, rini të papërjetuar dhe fëmijëri pa lumturi – lot dhe vaj në çdo shtëpi. Një dëshmi e frikshme se deri ku mund të shkojë marrëzia e regjimeve totalitare. Gjatë javës, një det lulëkuqesh u krijua nga lumi me lule që buronte nga Kështjella e Londrës. Ishte kjo ikonografia e një simbolike për ata që sakrifikuan jetën e tyre në Luftën e Parë Botërore që sot Londra të jetë e lirë. Në Paris, Presidenti i Francës ishte nikoqir i zyrtarëve britanikë dhe gjermanë me të cilët bashkë vizituan fushëbetejat në Notre-Dame-de-Lorette për të kujtuar humbjet e luftës ku u bënë fli mbi 600.000 ushtarë. Në SHBA u shënua Dita e Veteranëve të luftës në të gjitha anët.
Nga këto imazhe, mendimet më shpien në një udhëtim nëpër shekuj, në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, luftërat ballkanike, pastaj luftërat dhe konfliktet e viteve të 90-ta në Ballkan dhe konflikti i 2001-shit në Maqedoni. Çka është e përbashkët për gjitha këto konflikte dhe luftëra? Padyshim, vuajtja, tmerri, frika, vrasjet, tortura, të shpërngulur, të plagosur, të sakatosur, fëmijë jetimë dhe pejsazhe të errëta. Gjithashtu, e përbashkët është që palët që kanë luftuar, në një mënyrë ose tjetër, në fund duhet të ndërtojnë bashkë të ardhmen!
Pas përpjekjeve të dështuara për vendosjen e një paqe të qëndrueshme, pas Luftës së Parë Botërore, fatkeqësisht, e nxitur nga regjimi nazist, filloi Lufta e Dytë Botërore, e cila ishte edhe më shkatërruese se e para dhe mori mbi 85 milionë jetë njerëzish. Megjithatë, modeli që vendosi paqe të qëndrueshme në Evropë pas këtyre luftërave ishte ideja e Evropës së Bashkuar! Solidariteti i SHBA-ve nëpërmjet Planit të Marshallit për rimëkëmbjen ekonomike të Evropës pas Luftës së dytë botërore e bëri më të lehtë realizimin e kësaj endrre. Pra, rruga e pajtimit në Evropë ka qenë e gjatë, por përkushtimi serioz është udhëçelësi i suksesit të deritashëm.
Në kërkim të një rendi të ri pas rënies së sistemit të ish-Jugosllavisë, vitet e 90-ta shpërthyen me nacionalizëm, konflikte dhe luftëra. Nuk munguan iniciativat nga faktori ndërkombëtar për vendosje të paqes, dhe më e fundit Marrëveshja e Brukselit (2013) që i dha shans normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi me çka i hapi rrugë alternativës evropiane me nënshkrimin e Marrëveshjes për stabilizim asocim me Kosovën dhe fillimit të negociatave për aderim me Serbinë. Në frymën e pajtimit ishte edhe vizita e Kryeministrit të Shqipërisë në Beograd këtë javë, një vizitë historike që vjen pas gati shtatë dekadash. Me gjitha sfidat, ato i paraprinë dhe e shoqëruan këtë vizitë, prapëseprapë u nënshkruan tre Marrëveshje bashkëpunimi, ndër to edhe ajo për lëvizjen e qytetarëve pa pasaporta – për një Ballkan pa pasaporta!
Marrëveshja e Ohrit është një sukses i përbashkët e cila i dha shans paqes në rrugën drejt së ardhmes euro-atlantike të Maqedonisë si shtëpi e përbashkët për të gjithë qytetarët. Marrëdhëniet e mira ndëretnike janë themeli i kësaj shtëpie, na duhet edhe shume punë për një tolerance më të madhe dhe një respekt të ndërsjellët, për të rritur mirëbesimin. Duhet të jemi më të hapur dhe më të guximshëm për të tejkaluar sfidat. Të pajtojmë gjithë spektrin e shoqërisë sonë, të shikojmë gjërat që na bashkojnë, jo ato që na përçajnë. Me gjuhën e kompromisit, jo të konfliktit, me qasje përfshirëse, jo përjashtuese, me qasjen e bashkëpunimit, jo të konfrontimit, si dhe me gjuhën e arsyes e jo të forcës, të sigurojmë çatinë euro-atlantike të shtëpisë tonë të përbashkët! A kemi nevojë akoma t’i tregojmë njëri-tjetrit se kush është më i fortë dhe kush është zot në këtë shtëpi? Një shtëpi e përçarë në vetvete, nuk mund të qëndrojë. Ne na duhet një unitet për një opsion që do hapë dyert e familjes euro-atlantike për gjithë ne, tejkalimin e çështjeve të hapura me fqinjët, reforma në axhendën evropiane dhe zhvillim ekonomik.
Rruga drejt pajtimit është me gjemba! Aspak e lehtë, por e vetmja rrugë që ruan paqen dhe siguron prosperitetin! Një rrugë që ja vlen ta bëjmë. Të gjithë!
(Autori është zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane në Republikën e Maqedonisë, ndërsa qëndrimet janë personale).
















