Shqipëria ka treguar angazhim të fortë në zhvillimin më të fundit për të luftuar krimin e organizuar dhe luftën kundër drogës
Hapat e bërë nga qeveria në drejtim të luftës kundër krimit dhe trafiqeve, ndikojnë pozitivisht në vendimin e BE për statusin kandidat në Bashkimin Europian.
Ambasadori grek në Tiranë, Leonidha (Leonidas) Rokanas, në cilësinë e Përfaqësuesit të Presidencës greke të BE-së, konsideron mjaft pozityive zhvillimete fundit në Shqipëri, veccanërisht në angazhimin kundër krimit të organizuar.
“Do të doja të merret një vendim i rëndësishëm në qershor. Ne po ecim të fortë, jemi të vendosur të ndihmojmë jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por edhe Shqipërinë për ta ndihmuar këtë vend të avancojë sa më shpejt drejt familjes europiane atje ku i përket”.
Zoti Rokanas theksoi se Shqipëria ka treguar angazhim të fortë jo vetëm në politikë për të qenë pjesë e familjes europiane, jo vetëm në mënyrë kulturore, historike e aspekte të tjera, por e ka vërtetuar edhe në zhvillimin më të fundit për të luftuar krimin e organizuar, luftën kundër drogës që është shumë e rëndësishme.
“Presidenca jonë deri tani gjykohet nga puna legjislative, puna ka avancuar , puna e bërë është objektive kemi pasur edhe zgejdhjet presidenciale, jam shumë krenar për kapitullin e zgjerimit që ka ecur shumë mirë, nuk mund të jetohet pa zgjerimin, jo vetëm politikisht por edhe ekonomikisht”, tha zoti Rokanas.
Ambasadori grek bëri këtë deklaratë në konferencën ndërkombëtare “Presidenca Greke dhe Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor: Situata Aktuale”, e organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Ambasada e Greqisë në Tiranë, në partneritet me Fondacionin Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane.















