Kryeministri dhe kryetari i VMRO- DPMNE-se, Nikolla Gruevski, ka hartuar dy propozime për realizimin e rregjistrimit. Ai ia ka dorëzuar këto propozime edhe kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim
Në Republikën e Maqedonisë nuk dihet ende se kur do të kryhet rregjistrimi i popullsisë. Ky proces dështoi tre vite më parë, ndërsa Instituti i Statistikave Europiane (Eurostat) publikoi para një jave numrin e banorëve në Europë, ku kishte përfshirë edhe ata në shtetin maqedonas.
Kryeministri dhe kryetari i VMRO- DPMNE-se, Nikolla Gruevski, ka hartuar dy propozime për realizimin e rregjistrimit. Ai ia ka dorëzuar këto propozime edhe kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetit, me qëllim arritjen e një marrëveshje për kryerjen e këtij procesi.
Propozimi i parë është rregjistrimi i popullsisë sipas ndarjes administrative, ndërsa propozimi i dytë është ai i kontrollit në terren për disa të dhëna. Sipas propozimit, ky proces duhet të kryhet brenda dy vjetësh.
Por deri tani nuk ka asnjë përgjigje nga partia shqiptare në pushtet, BDI, raporton portali “Zhurnal.mk”.
Po sipas këtij portali, nga selia e BDI është pohuar marrja e letrës me propozime nga Gruevski, por ajo nuk është shqyrtuar ende.
Debati për rregjistrimin apo jo të qytetarëve që ndodhen jashtë shtetit prej më shumë se një viti, ishte edhe arsyeja kryesore për ndërprerjen e procesit të regjistrimit në vitin 2011. E.Memushi