20:10- Ka përfunduar pas 3 orësh takimi Rama-Basha. Në një dalje për mediet, kryeministri është shprehur se “nuk arritën të bindin Partinë Demokratike për të votuar së bashku reformën në drejtësi”.
“Më vjen keq që nuk arritëm të bindnim Partinw Demokratike për të votuar së bashku reformën në drejtësi, por më vjen mirë t’u them të gjithë shqiptarëve që bëmë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’u dhënë kundërshtarëve politikë një mundësi reale”, tha Rama pas takimit.
“Reforma do të miratohet pa opozitën”
Kryeministri Rama u shpreh se opozita nuk e do reformën në drejtësi ndaj ajo do të niset drejt Parlamentit për miratim, pa arritur konsensusin e shumëkërkuar.
“Ne nuk do ta presim më PD-në, do të vazhdojmë në rrugën ë vetme që kemi por deri ditën e votimit ka plot orë që të mos e humbasin bashkë me trenin dhe fytyrën e tyre. Nëse duan të flasin me ekspertë ne jemi gati”, theksoi Rama.
vijon…
17:00- Reforma në drejtësi, nis takimi Rama-Basha (VIDEO)
Ka nisur takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në orën 17:00 në Pallatin e Kongreseve, ku zhvillohet takimi i tij me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kryeministri shoqërohej në këtë takim nga zëvendëskryetari i i LSI-së, Petrit Vasili dhe kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbërritur në takim në orën 17:09, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar Edi Paloka dhe deputeti Oerd Bylykbashi.
Takimi zhvillohet në një nga ambientet e Pallatit të Kongreseve, në sallën ku ka qenë i vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Biseda mes delegacioneve të shumicës parlamentare dhe opozitës pritet të fokusohet te reforma në drejtësi. Zhvillimi i takimit Rama-Basha është negociuar në mënyrë intensive nga kanalet diplomatike, ndërsa nuk ka munguar edhe zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit dhe Bashkimit Europian.
Palët mbeten ende të ndara mbi mënyrën e zgjedhjeve të organeve drejtuese të sistemit të drejtësisë, ndërsa Partia Demokratike këmbëngul në një formulë për vende të rezervuara për secilën palë politike.
Pamjet e para të takimit, palët i dhanë dorën njëri-tjetrit
Një detaj i rëndësishëm është zbardhur pak pas takimit mes palëve politike për reformën në drejtësi. Kryeministri Rama dukej i ç’tensionuar dhe i buzëqeshur përballë kreut të opozitës. Madje gjatë momentit të fotografive të bëra nga gazetarët, kreu i qeverisë është kapur edhe duke shkelur syrin.
Ndryshe është parë kreu i PD-së, i cili pasi mbërriti 9 minuta me vonesë në takim, i shoqëruar nga Paloka dhe Bylykbashi, ka mbajtur një qëndrim më të ftohtë. Gjithashtu nga gazetarët e pranishëm në takim, njoftohet se palët i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit edhe pse kjo nuk është filmuar.















