Të mbijetuarit e procesit të vettingut në radhët e sistemit të drejtësisë do të jenë të mirëpaguar.
Mbase jo në nivelet e kolegëve europiane, apo në ato nivele që shumë prej tyre gjyqtarëve dhe prokurorëve përfliten se mund të jenë mësuar të kenë në portofole apo në llogari bankare, por në raport me pagat e punonjësve të tjerë të administratës, pagat e gjyqtarëve dhe të prokururëve që do të mbeten në detyrë do të shkojnë nga 3 milionë lekë të vjetra në muaj deri në pothuajse 5 milionë.
Në krye të piramidës së pagave të larta do të jetë ajo e kreut të Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë ai do të përfitojë mbi 150 mijë lekë të vjetra, duke patur një pagë mbi 4 milionë e 500 mijë lekë po të vjetra. Ndërkohë anetarët e Gjykatës Kushtetuese do të kenë pagat më të larta mes radhëve të togave të zeza, duke përfituar rreth 3 milionë e 790 mijë lekë të vjetra çdo muaj. Ndërkohë paga mesatare për magjistratët është propozuar që të jetë rreth 330 mijë lekë të reja çdo muaj, ose pothuajse 3 herë më shumë nga sa paguhet mesatarisht tani një magjistrat.
Anëtarët e Gjykatës së Lartë janë të dytët që do të kenë pagesën mujore më të lartë pas atyre të Gjykatës Kushtetuese. Ato do të paguhen mbi 3 milionë lekë të vjetra në muaj. Pas tyre, gjyqtarët në rrethe pritet që të kenë paga deri në 2 milionë e 900 mijë lekë të vjetra. Në rrethe do të paguhen pak më shumë gjyqtarët e krimeve. Ndërkohe, kryeprokurori pritet të ketë pagën aq sa kryetari i Gjykatës së Lartë, 3 milionë e 450 mijë lekë në muaj. Të njëjtën pagë do të përfitojë dhe kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Më pak do të përfitojneë përfaqësuesit e organit të akuzës në Prokuroritë e Apelit dhe ato të rretheve.
Jo pak të përkëdhelur do të jenë pjestarët e sistemit të drejtësisë edhe në pension, pasi do të përfitojnë rreth 60 përqind të pagës në detyrë. Ndërkohë këto paga duket se nxjerrin këtë vit me këpucë të kuqe Ministrinë e Financave, e cila në një korrespondencë drejtuar komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi ka bërë të ditur se fondi i pagave i propozuar për magjistratët i tejkalon parashikimet e saj duke e çuar fondin për paga nga 1.8 miliardë që është aktualisht në 4.5 miliardë lekë. /abc news/














