Sipas Shërbimit Sekret Amerikan, rreth 15 mijë militantë nga 80 shtete besohet se kanë hyrë në Siri për të rrëzuar regjimin e Bashar al-Assad. Lajmin e bën të ditur prestigjiozja “The Washington Post”, përmes një harte e cila tregon numrin e personave që kanë udhëtuar nga shteti i tyre drejt Sirisë brenda një viti.
Ndër shtetet e shënuara në hartë është edhe Shqipëria. Sipas studimit të CIA, brenda vitit, nga vendi ynë i janë bashkuar militantëve islamikë 148 xhihadistë. Shumë prej këtyre luftëtarëve besohet se tashmë janë pjesë e ushtrisë së Shtetit Islamik.
Shifrat e luftëtarëve xhihadistë nga Europa Perëndimore janë marrë nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve për Radikalizimin dhe dhunën politike, ndërsa shifrat e tjera janë nga “The Soufan Group” dhe flasin për një periudhë nga dhjetori i vitit 2013 deri në tetor 2014.
Vendet që rezultojnë të kenë një numër më të vogël militantësh islamikë janë: Bangladeshi, Kili, Japonia, Malajzia dhe Singapori. Këto shtete nuk janë treguar në hartë.
















